Teksa jemi në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, ka suprizuar kryedemokrati Lulzim Basha i cili ka botuar librin e tij të parë me titull “Misioni im”.

Përmes këtij libri, Basha iu bën një ftesë publike shqiptarëve që të votojnë kandidaturën e tij për kryeministër.

“Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, në ftesën publike për të votuar kandidaturën e tij për kryeministër dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri, Lulzim Basha sjell këtë letër të hapur drejtuar gjithë shqiptarëve. Në të qasjet e tij personale mbi jetën politike në vend dhe zhvillimet e opozitarizmit nën drejtimin e tij; lidhjet e tij familjare e personale dhe historikun e përfshirjes së tij në politikën aktive në vend; tezat mbi gjendjen e ekonomisë sot dhe mënyrën për të dalë nga kolapsi; nevojën akute për të shmangur instalimin e një diktature përmes uzurpimit të institucioneve më të rëndësishme shtetërore, kërcënimit të medias, mercenarizimit të administratës dhe formave të tjera të presionit politik; idetë mbi ndryshimin e sjelljes politike e të kthimit të mjedisit politik e publik në qetësinë dhe normalitetin europian; thirrjen për të bashkuar ëndrrat dhe dëshirat e çdo shqiptari për një rimëkëmbje të vërtetë kombëtare: ekonomike, kulturore, shpirtërore, me po atë forcën ndryshuese që shpesh shqiptarët kanë treguar se dinë të bëjnë. Lidhjet e tij familjare e personale me Kosovën, i japin këtij traktati një frymë kombëtare dhe shpjegojnë idetë e tij se si duhet t’i qasemi çështjes kombëtare, jashtë nacionalizmit të zbrazur e për t’i kthyer shqiptarët në kontribuuesit e vyer në rajon dhe në Europë”, thuhet në mesazhin e kryedemokratit në libër.

Libri prej 100 faqesh është i ndarë në 10 kapituj kryesor, të cilët kryedemokrati i ka titulluar:

  1. Politika për mua,
  2. Partia demokratike dje, sot dhe nesër –“Partia më e bukur e Lindjes”,
  3. Rithemelimi i opozitarizmit,
  4. Urgjenca e normalizimit,
  5. Shtet i vogël dhe efiçent,
  6. Zgjimi ekonomik shqiptar,
  7. Demokraci dhe liri ekonomike me dimension human,
  8. Familja e ardhmja e mbijetesës shqiptare,
  9. Në borxh me kulturën,
  10. Kosova gjysma tjetër

Shtëpia botuese e librit të kreut të opozitës është e Flutura Açkës, kandidates së PD-së në Elbasan.