Kandidatja për deputete e LSI në Durrës, Edlira Hyseni është shfaqur krejt ndryshe nga sa jemi mësuar ta shohim. E njohur për profilin e saj “strikt” prej eksperte kontabël dhe në dy vitet e fundit si zëri publik më i ashpër në Këshillin Bashkiak. Hyseni ka zgjedhur që fushatën e saj ta bëjë në terren, pa distancim nga qytetari, por me thjeshtësinë e saj femërore. Si kandidate për deputete ajo na servir një pamje krejt ndryshe.
"Se ne kohe trafiku ka mjete te shpejta per te dale ne krye e kur mesohesh te jesh force e pare, ske kohe te humbesh, per te takuar kaq shume njerez qe kane deshire te te votojne." shkruan Hyseni në profilin e saj në Facebook.
Hyseni njihet për zërin dhe argumentin e fortë kundër buxhetit të Bashkisë së Durrësit pak kohë më parë ku argumentonte se: “Këshilli Bashkiak ka detyrë të jetë pjesë e çdo proçesi vendimarrjeje, që do të ndikojë në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo edhe tërthorazi jetën dhe interesat e çdo qytetari apo biznesi durrsak. E çfarë më shumë, se sa vendimi për buxhetin vjetor të kësaj Bashkie mund të ketë impakt më të fortë pozitiv apo negativ për secilin nga ne, që në këtë qytet jetojmë dhe punojmë? Pse nuk e miratuam ne, Këshilltarët e forcës politike LSI, Projekt-Buxhetin 2017-2019 e propozuar në Bashkinë e Durrësit? E thjeshtë; askush s’na pyeti, askush s’na dëgjoi, askush nuk priti të përcillnim zërin e qytetarëve tanë, që na votuan t’i përfaqësojmë. Nuk ka qenë asnjëherë nevojë të “urdhërohemi”, të dalim jashtë ideve tona për t’u bindur pa kushte. Besonim se për një vendim të tillë do të ishim bashkëpunëtorë, sic jemi aleatë, për të ndarë së bashku vizionet tona, kërkesat, projektet, për të gjetur rrugën optimale për zgjedhjet/zgjidhjet më të mira të mundshme në interes të qytetarëve qe besojnë te ne. Nëse ndokush, i lexon këto si prapaskena politike, do të thotë se nuk di se politika është mundësia që çdo zemër e mendje qytetari të shkojë aty ku mund të dëgjohet, përmes njerëzve që ata vetë kanë zgjedhur t’i përfaqësojnë.”
Ndërkaq në një tjetër qendrim të sajin, Edlira Hyseni sqaroi me përpikmëri zgjedhjen e saj politike, duke pohuar se: “Në këtë rrugë të re që zgjodha të besoj, eci në majë të gishtave, sepse politika është art dhe profesion dhe politikan nuk bëhesh në një ditë. Besoj tek forca e madhe e politikës për të sjellë ndryshimet, për të ngritur Shtetin, hartuar ligjet dhe detyruar Institucionet në zbatimin e tyre, për të punuar në shërbim të vendit dhe njerëzve, për ta sjelle Evropën këtu mes nesh ! Por, politika jemi vetë ne, janë jetët tona, nevojat tona, aftësitë dhe vlerat që çdokush nga ne zotëron dhe përmirëson. Politika është zgjedhja jonë me votën e lirë! Si anëtare e Këshillit Bashkiak të Durrësit, përfaqësuese e LSI, jam përpjekur të mos harroj për asnjë çast prioritetet që kam ndjekur përherë në jetën time : e mira, e drejta, e vërteta! Në botën time optimiste besoj tek e mira, si një vlerë e çmuar që në fund përherë fiton dhe se ndeshet shpesh, shumë shpesh, me të keqen që kudo e gjen. Në çdo vendimmarrje politike, aty në mini-parlamentin vendor, kam kërkuar të kuptoj ku ishte e mira e çdo projekti që parashtrohej për miratimin tonë. Çfarë të mire do t’i sillte ai vendim qytetit tim që si çdo durrsak, aq fort e dua? Po banorëve të tij, që si dhe unë, këtu kemi ngritur jetët tona?”
Në këtë fushatë ajo vjen ndryshe, pa kritika sfiduese, por me zgjedhje korrekte dhe konkrete në të mirë dhe shërbim të qytetarit durrsak.





