Një copëz e vogël Shqipërie për t’u marrë me vete. Suveniret janë shpeshherë një shpenzim luksi për ata që i blejnë, kryesisht turistë të huaj, por nga ana tjetër blerja e tyre shpesh të bën pronar të një prodhimi autentik dhe origjinal.

“Turistët kanë interes përsa i përket suveniereve të bëra me dorë. Ata i vlerësojnë më shumë sesa klientët vendas, që priren më tepër ndaj produkteve industriale, që janë dhe më të lira”, – thotë për “DurrësLajm” Miriana Meçaj, një artiste që prej vitesh së bashku me nënën e saj drejtojnë një dyqan në Durrës.

“Nuk është thjesht një dhuratë që i përket botës konsumatore, por është një dhuratë që ti e bën me zemër dhe ka vlerë unikale”,- vijon më tej ajo.  

Periudha më e ngarkuar me punë për dyqanet e suvenireve mbetet vera, kur edhe fluksi i turistëve rritet ndjeshëm.

Tregu shpesh është i mbushur me produktet industriale, të prodhuara në Kinë apo Turqi, por nuk mungojnë edhe ato të realizuara mjeshtërisht nga duart e artizanëve tanë. Në këtë rast, blerja merr një kuptim edhe më simbolik.

Shpesh mundohem që t’i përshtatem kërkesave të klientelës, sidomos në rastet kur dikush ka një kërkesë specifike, por nga ana tjetër mundohem edhe të “vetëofrohem”, për të edukuar ata që duan të bëjnë një dhuratë, por nuk dinë se çfarë të dhurojnë”,– thotë Meçaj.

Megjithëse kostot e prodhimit janë rritur, tregu i produkteve artizanale nuk ka pësuar rritje. Kjo për të mos humbur klientelën besnike, por edhe atë rastësore. Artizanati duket si profesion në zhdukje, por vitet e fundit vihet re një tendencë në rritje e artistëve që realizojnë punime me dorë.

Produktet më të kërkuara mbeten ato me koston më të ulët si magnete apo mbajtëse çelësash me motive shqiptare, ndërsa ato me çmimin pak më të kripur kërkojnë blerës më specifikë.

M.B.