Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se njëri nga të vrarët në Banjskë të Zveçanit, është e truproja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin.
Në një postim në “Facebook”, ai ka postuar edhe fotografinë e personit në fjalë.
“Dje përmes video-pamjeve dëshmuam prezencën e kryekriminelit dhe udhëheqësin e aksionit terrorist Milan Radojiçiç. Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviç, truproja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013”, ka shkruar ai.
Sipas Svelçës, Serbia është këmbë e krye e përfshirë në sulmin terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës.
“Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiç në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiç, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë”, ka shtuar ai.
Më tej, ai ka thënë se këto fakte janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviçit.
“Edhe optimistët më të mëdhenj që deri tash e kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë shtet besoj janë bindur për të kundërtën këto ditë”, ka thënë ai tutje.
“Dua të shpreh edhe njëherë mirënjohje për qëndresën e Policisë së Kosovës atë ditë dhe për profesionalizmin e pashoq, aksion në të cilin nuk është lënduar asnjë civil”, ka thënë në fund të reagimi të tij ministri Xhelal Sveçla.