Prela po heton Adriatik Llallën dhe për 613 kg kokainë që erdhi nga porti i Durrësit. Medias ia ka mbyllur dyert sapo u emërua në krye të institucionit të akuzës.
Me ardhjen e prokurores së re në Durrës, Donika Prela, shumë gjëra kanë ndryshuar. Por aspak për mirë. Nga zonja prokurore e cila zëvendësoi prokurorin e komanduar Agron Gjana pak muaj më parë, pritshmëritë ishin shumë më të larta për të vijuar së paku komunikimin transparent.
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla po hetohet nga kjo prokurori për katër akuza të ngritura zyrtare. Prokuroren e rrethit e kemi kontaktuar disa herë dhe është për të ardhur keq, mungesa e përgjigjes prej saj. As pohim e as mohim, por heshtje.
Para Donika Prelës, prokurorinë numër dy të vendit e kanë drejtuar shumë prokurorë që kanë patur çështje edhe shumë më të nxehta. Këtë institucion akuze, në qytetin port, e kanë drejtuar 20 vitet e fundit prokurorë me emër, si Ferdinant Elezi, Besim Hajdarmataj, ish-ministri i Drejtësisë Nasip Naço, Agron Gjana, e shumë e shumë të tjerë, që element shumë të rëndësishëm të punës së tyre kanë patur komunikimin dhe transparencën.
Me ardhjen e Donika Prelës, komunikimi me median është stopuar.
Jo vetëm që zonja në fjalë ka prishur traditën e kahershme që drejtuesit e institucionit kanë vendosur, por as nuk merr mundimin për ta rregulluar. Së paku zonja nuk ka ndërtuar asnjë urë komunikimi me median në Durrës. Nuk ka bërë asnjë prezantim me gazetarët si pikë kyçe e punës së çdo drejtuesi institucioni kur merr detyrën. Një kafe me mediat në Durrës është më e pakta që çdo drejtues institucioni mund të bëjë për të kryer prezantimin e tij dhe për të lidhur urat e komunikimit.
Zonja Prela duket se vjen nga një planet tjetër, sepse asnjë prej këtyre rregullave nuk e di. Madje sa herë që mediat përpiqen të komunikojnë me zonjën prokurore, përballen me heshtjen e saj. Zonja prokurore mbase do që të flasë vetëm nëpërmjet punës që bën, por duhet ta dijë që asnjë prej gazetarëve nuk e do informacionin për në shtëpinë e tij, por në ndihmë të publikut, sepse është publiku ai që duhet të informohet se çfarë bëhet përtej dyerve të mbyllura të organit të akuzës në Durrës.
Askush prej mediave nuk ka për qëllim prishjen e hetimeve, por dhënien e një informacioni të saktë e të paanshëm për publikun.
Në Durrës ka pasur çështje edhe shumë më të mëdha se hetimi i një prokurori, pasi ky organ akuze ka hetuar shumë ngjarje të tjera në vite. Prokurorët që kanë drejtuar këtë institucion nuk i kanë mbyllur asnjë herë dyert medias, por përkundrazi, medias i është kërkuar bashkëpunim i ngushtë në shumë çështje. E keqja nuk vjen nga media, e keqja vjen nga korrupsioni, nga heshtja, nga mbyllja e dyerve që i bëhet informacionit dhe medias.
Prokurorja e re mund të mbrohet shumë mirë se informacioni do të dalë nga zyra e shtypit në Tiranë e të shpërndahet në mënyrë elektronike. Nuk kemi asnjë problem në këtë drejtim, por çështja është se media është në Durrës, e nuk mund të kapë me dorën e djathë veshin e majtë, kur bëhet fjalë për ngjarje e për çështje krejtësisht lokale. Media nuk mund të presë brenda afatit ligjor 10 ditë nëse prokuroria ka nisur apo jo procedim penal për një ngjarje e cila ka karakter lokal thellësisht, por që ka interes te publiku në Durrës. Pa përmendur pastaj vijimin e hetimeve në lidhje me ish-kryeprokurorin Adriatik Llala, apo se çfarë po ndodh me dosjen e kapjes së 613 kg kokainë.
Mbase prokurorja e rrethit po punon shumë dhe shumë shpejt do të na japë informacionin e shumë pritur mbi dy dosjet e bujshme. Ndoshta ka fjalë pak e punë shumë. Të gjithë jemi sy e veshë te puna e saj.