Lamtumirat gjithmonë janë të dhimbshme dhe kështu rezultoi edhe për Sokol Cikalleshin, i cili në mënyrë të beftë mbeti jashtë Europianit.

Trajneri Sylvinho, nuk e bëri pjesë të ekipit për finalet e “Gjermani 2024”, ndonëse 33-vjeçari ishte titullar i padiskutushëm në fushën eliminatore, ku realizoi edhe një gol në barazimin me Moladvinë, që zyrtarizoi kualifikimin në Europian.

“Fundi i një rrugëtimi! Rrugëtimet jane të bukura, me uljet e ngritjet e veta. Gjatë rrugëtimeve nëse gjërat i ke bërë siç duhet, fundi është i lumtur, paçka se, jo gjithmonë e zgjedhim vetë mënyrën. Ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar të futbollit. Bartja e emocioneve të një kombi mbi shpinë, është sa privilegj, aq edhe një përgjegjësi, cila më ka bërë të përunjur dhe mirënjohës ndaj çdokujt që besoi, ndaj çdokujt që më dha kurajo për të vazhduar, e padyshim, në mënyrë të veçantë ndaj çdokujt që brohoriti për mua”, shkruan Ciaklleshi në reagimin e tij në Instagram.

Pakënaqësinë bomberi kavajas e shfaqi mes rreshtash, megjithatë ai i uron suksese shokëve të tij në Europian.

“Ashtu siç, çdo fillim e ka një fund, edhe rrugëtimit tim me ekipin kombëtar të futbollit i erdhi fundi! Ndihem i lumtur për çka bëra gjatë këtij rrugëtimi, ku dhashë pakursimin më të vogel pikën e fundit të djersës dhe shpirtin për të bërë më të mirën e mundshme. Falenderoj Zotin për gjithëçka më ka dhënë në jetë, familjen për mbështetjen, tifozet Kuq e Zi që meritojne shumë më shumë sesa ne kemi dhënë në fushën e blertë. Lutem Zotit që shokët që do vijojnë rrugëtimin në Euro2024 të kenë sukses dhe të bëjnë një paraqitje dinjitoze”, mbyllet reagimi i tij.