Trajneri i kombëtares, Sylvinho foli në konferencë për shtyp në prag të miqësores së të premtes ndaj Azerbajxhanit që transmetohet në SuperSport 2 duke nisur nga ora 19:00. Tekniku i kuqezinjve, theksoi se do t’i japë më shumë minuta lojtarëve që nuk kanë luajtur shumë ndërsa shtoi se shpreson që në Euro 2024 skuadra e tij të luajë më shumë se tre ndeshje.

Miqësorja e fundit para Euro 2024, a do të zbresë në fushë formacioni ndaj Italisë? Çfarë dëshironi të shihni nga Shqipëria në këtë ndeshje? 

“Jemi duke zhvilluar përgatitjet, ishin në program dy miqësore. Është një proces pune i shpejtë, nuk kemi pasur dy-tre javë në dispozicion. Kemi shtatë ditë që stërvitemi dhe kemi dy miqësoret. Po përgatitemi për ndeshjen me Italinë, por nuk mund të them si do të luajë skuadra në atë sfidë. Mbetet për t’u parë kur të vijë momenti. Në ndeshjen me Azerbajxhanin do t’i japim minuta lojtarëve që nuk kanë luajtur shumë dhe të provojmë”.

E keni ndjekur Italinë në ndeshjen kundër Shqipërisë, a duken si kundërshtari që mund t’i marrim rezultat? 

“Janë kampionët në fuqi, është nga më të fortat në Europë dhe botë ashtu si Spanja dhe Kroacia. Është një grup i bukur për të gjithë ne, është mundësi që ta shijojmë këtë pjesëmarrje të dytë në Europian, të provojmë të bëjmë më të mirën. Pas miqësores do të bëjmë analizën tonë, për t’u përballur më mirë. E kemi ndjekur miqësoren e Italisë”.

Nesër lista përfundimtare, ka ndonjë ndryshim të momenteve të fundit? 

“Çdo ditë është e rëndësishme për stafin dhe ekipin. Aktualisht, të gjithë janë të karikuar. Po stërvitemi në një kamp shumë të mirë, të qetë dhe me kushte fantastike. Nesër vendoset lista përfundimtare, kemi edhe një ditë kohë për të parë dhe analizuar. Nëse do të ketë ndonjë dëmtim më vonë, UEFA lejon një zëvendësim, shpresoj të mos ndodhë”.

Kush është “plani B” në të djathtë përveç Asanit? 

“Asani është një lojtar që nuk ka luajtur së fundmi, është në formë, por sërish nuk ka luajtur. Për Asanin nesër është një mundësi që të marrë të tjera minuta, se nuk ka luajtur në katër apo pesë muajt e fundit. Po e mbajmë në vëzhgim, është në gjendje të mirë. Sigurisht kur një lojtar e ndjen pak lodhjen është mirë të ndërhysh se kemi lojtarë të tjerë me kualitet që mund ta bëjnë atë rol. Të shohim dhe mbetet për t’u vlerësuar”.

A do të doje të ndryshoje diçka nëse do të kishte mundësi për përgatitjen para Europianit? 

“Jo, përgatitja është shumë e mirë. Këtu është një vend shumë i mirë. Jemi të qetë. Marrim pjesë në një turne të rëndësishëm, duhet ta shijojmë dhe të tregojmë përgjegjësi. Jemi të kënqur si po punohet, kemi nëntë ditë që punojmë. Të gjithë lojtarët janë të karikuar dhe të motivuar. Të fokusuar në punën e tyre. Ka lojtarë që kanë luajtur 30-40 ndeshje, të tjerë që kanë lujatur më pak. Kjo nuk është në dorë tonë, por kemi punuar për të marrë ngarkesën e duhur”.

“Blloku italian” i kombëtares, sa i rëndësishëm do të jetë për përballjen me Italinë? 

“Të luash kundër Italisë është një motivim i madh. Nuk ka nevojë të luash në Serie A për të pasur motivimin e duhur, nuk ka rëndësi ku luan në Spanjë, Gjermani, Bundesligë apo Portugali. Kanë një fanellë të rëndë dhe janë favoritë, për ne është e rëndësishme të përgatitemi mirë”.