“Ka nisur të marrë formë projekti i Shkollës së Futbollit të Manchester City me veprimtarinë e parë dedikuar komunitetit të futbollit në Durrës.” Kështu shprehet kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako në një postim në rrjetet sociale ditën e sotme.

Ndër të tjera, Sako shkruan se pas këtij aktiviteti fillestar do të vijojnë një sërë nismash të tjera me synim zbulimin e talenteve të reja në futbollin shqiptar.

Postimi i plotë:

Ka nisur të marrë formë projekti i Shkollës së Futbollit të Manchester City me veprimtarinë e parë dedikuar komunitetit të futbollit në Durrës.

Trajnerët e Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës u informuan mbi projektin më të ri të Dyrrah City Football Academy por edhe u trajnuan mbi parimet bazë të zhvillimit të programit të Manchester City për akademitë.

Dy trajnerët e mirënjohur të Manchester City, Gavin Rhodes dhe Andy Smith, shpjeguan shtyllat e zhvillimit të “Lojës së Bukur” që nga ekipi i parë e deri tek grupmosha më e vogël. Seminari teorik u pasua nga një seancë stërvitore praktike në fushë.

Pas këtij aktiviteti fillestar do të vijojnë një sërë nismash të tjera me synim zbulimin e talenteve të reja në futbollin shqiptar.

Ky do të jetë një projekt mbarë kombëtar për rritjen dhe zhvillimin e talenteve që në nivelin e akademive.