Partia kryesore e së majtës greke PASOK e ka sulmuar sërish kryeministrin Kyriakos Mitsotakis për përfshirjen e kandidaturës së Fredi Beleri në listën e kandidatëve për eurodeputetë të partise Demokracia e Re. 

Gjatë një interviste televizive, eurodeputetja Evi Christofilopoulou tha se arsyet e kandidimit nga Mistotakis të Fredi Belerit për eurodeputet nuk janë simbolike as kombëtare dhe as europiane, por vetëm llogaritje për qëllime elektorale. 

Synimi sipas saj që u kandidua Beleri është ndalimi i rrjedhjes së votuesve të partisë Demokracia e Re drejt së djathtës ekstreme ndërsa përmendet bashkëpunimi i tij kohë më parë me Agimin e Artë. Kjo kandidaturë për eurodeputet e ekspozon zotin Mitsotakis, që sipas të majtës greke po vendos interesin partiak mbi interesin kombëtar.  

Të majtët grekë insistojnë në atë se zoti Beleri është më i nevojshëm si kryetar i Bashkisë së Himarrës, në mënyrë që të mbrojë efektivisht të drejtat dhe pronat e minoritetit etnik grek në Shqipëri. 

Sipas ligjit grek, Beleri ka të drejtë të jetë kandidat. Nëse Beleri zgjidhet në Parlamentin Europian, ai do të duhet të japë dorëheqjen si i zgjedhur për kryetar bashkie. 

Sondazhet e fundit të opinionit publik grek pas shpalljes së 42 kandidatëve të Demokracisë së Re për zgjedhjet europiane e shohin kandidaturën e Belerit të rreshtuar në top pesëshen fituese, ndërsa më parë ai ishte renditur në dymbëdhjetë kandidatet më të preferuar.