Pasditen e së premtes u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak Durrës.

Këshilltarët e rinj, disa jo vetëm në këtë pozicion, por edhe në moshë, u mblodhën për të diskutuar 3 nga 10 pikat e përfshira në rendin e ditës.

Edhe pse nuk spikatën në ndonjë diskutim në ato pak minuta që zgjati e gjithë mbledhja, ne vendosëm të fokusoheshim pak në paraqitjen e tyre në atë që konsiderohet parlamenti i qytetit dhe që në këtë mandat i përket i gjithi Partisë Socialiste, pas bojkotimit të zgjedhjeve nga opozita.

Këshilltarët meshkuj ishin kryesisht besnikë të këmishës me ngjyra të hapura, me mëngë të gjata, ku mbizotëronte ngjyra e bardhë. Por, si për ironi të fatit, nuk mungonin edhe bluzat me mëngë të shkurtra, që në bazë të kodit të veshjes duhet të evitohen në mbledhje të tilla.

Të vetmit që kishin zgjedhur të paraqiteshin me xhaketë ishin kreu i grupit të këshilltarëve socialistë Arben Isaku dhe kreu i Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj, që spikaste me xhaketën me ngjyrë të ndezur.

Ndërsa, përsa u përket këshilltareve femra, ato u shfaqën me larmishmëri ngjyrash, nga ato të tokës te më të fortat që "ndiznin" sallën dhe binin në sy.

Syzet mbi kokë tek ndonjë këshilltar ishte një tjetër detaj që stononte, pasi bëhet fjalë për një mbledhje serioze si ajo e Këshillit Bashkiak.

Një gjë tjetër që tërhiqte vëmendjen dhe është kapur nga DurrësLajm është se disa prej këshilltarëve e ndiqnin mbledhjen në këmbë dhe jo në karriket përkatëse!!! Madje edhe kartonat gjatë votimit i kanë ngritur duke qëndruar në këmbë…

Në mbledhjet e ardhshme, ndoshta këshilltarët do të nisin të respektojnë kodin e veshjes dhe të qëndrojnë ulur për të respektuar rëndësinë që ka Këshilli Bashkiak, pasi me votën e tyre ata vendosin për projektet, strategjitë, buxhetin etj, që prekin drejtpërdrejt cilësinë e jetesës së qytetarëve të Durrësit.

Për herë të parë në historinë gati 30-vjeçare të Këshillit Bashkiak Durrës, në vitet e demokracisë, parlamenti i qytetit i përket vetëm një partie. Të zgjedhur me votën e një pakice qytetarësh që morën pjesë në zgjedhje, këshilltarët duhet ta marrin më seriozisht detyrën për të cilën u përfshinë në listën e KB-së dhe për të cilën janë zgjedhur të ulen në karrike dhe të marrin vendime.

Mbledhjet e ardhshme do të tregojnë gjithashtu nëse kanë edhe diçka për të thënë apo do të dinë të ngrenë vetëm kartonin Pro apo Kundër.