NGA BUJAR QESJA

Vitet ecin dhe mosha jonë kalon nëpër shkallët e jetës, duke rritur koefiçientin e vështirësisë. Objekt i punës tonë janë të gjitha moshat, në ngjarje dhe momente të ndryshme sipas specifikës së çështjes që do të trajtohet. Kur kemi qenë të rinj, as që e mendonim se një ditë do të arrin në këtë moshë. Por ka një vlerë në këtë rast. Memoria, apo ajo që quhet kujtesë ka mbetur e re, njëlloj si më parë. Këtë e vërtetova edhe njëherë e më mirë, në këtë të dielë, të 14 nëntorit të vitit 2021.

Kafeja tek unë, që e kam quajtur kafeja e mallit dhe e sentimentit, më duket sikur janë bërë si lutjet e mëngjesit në një vënd të botës. Dhe pata shansin, apo fatin si mund të rrëshqasin fjalën, që në këtë kafen time të mëngjesit u rrokën njëherazi dy bashkëmoshatarë. Madje tërë kohën kemi qenë bashkëmoshatarë. Lush Zina në dokumenta dhe Lutfi Zino i thirrur në popull, është i 24 prillit 1950. Dashamir Ramës, lindja i daton me 28 janar 1950. Dhe personi i sofrës së mikpritjes është i 15 gushtit 1951. Pra i bie moshatarë të thekur dhe që e dimë mirë ecurinë e njëri tjetrit.

Të dalim tek kjo “Lutja ime e mëngjesit”. Me 8 nëntor 2021 ky Lush Zina dhe ky Dashamir Rama, janë konfirmuar zyrtarisht në presidencën shqiptare “Mjeshtër i Madh”, pasi më parë ishin mjeshtra të merituar të sportit. Ky titull është ekuivalent me “Heroi i Punës Socialiste” në kohën e sistemit që zotëronte para 90-tës. Luti erdhi enkas nga Amerika, për të shijuar këtë vlerësim të lartë dhe mbeti i preferuari ynë tërë javën që kaloi.

E sa i takon Dashamir Ramës, i biri i shoferit të njohur dhe shumë popullor Ferid Ramës, historia e tij është krejt vëndase. Është trajner i ekipit të çiklizmit të “Teutës” dhe i ekipit kombëtar të Shqipërisë. Ndërsa Zino punon në Manhatan tërë ditën dhe pasdite vonë, udhëton drejt Bruklin-it, për të ushtruar privatisht detyrën e riparuesit të biçikletave.

Që të dy durrsakët, miqtë e mi të hershëm nuk i janë ndarë dy rrotakëshit, ashtu sikundër bashkëbiseduesi i tyre i qëndroi besnik një lapsi dhe një blloku, duke mos e tjetërsuar pasurinë e tij shpirtërore. Kam përjetuar momente shumë të veçanta, thuajse të harruara dhe të mbetura, apo të tulatura në një qoshe të magazinës time të kujtesës. Në një tavolinë të thjeshtë, ku ishin vendosur gotat e ujit, filxhanët e kafesë dhe pak raki në ato 25 gramëshet e minimizuara, bashkëbisedojnë tre “Mjeshtri i Madh”, që të tre pasuri të investimit sportiv, shpirtëror dhe qytetar të Durrësit. Që të tre të betuar ndaj vendlindjes së tyre, të cilën janë gati të mos e “shesin” deri në tretjen e frymëmarrjes së fundit.

Ajo që më gëzoi, është biseda shumë tërheqëse që ata zhvilluan për më shumë se dy orë. Dhe u ndërpre për një arsyje të vetme: Lush Zina kishte prerë biletën e avionit për në Amerikë, duke ndjekur linjën e Polonisë. Biseda ishte aq e përmallshme, me momente që aq shumë i dëshironim, saqë Zino ynë për pak sa rrezikoi rikthimin në Njujork.

Që të dy janë themelues të çiklizmit modern durrsak. Që të dy kanë një bashkëudhëtim të ngjashëm në këtë sport nga më popullorët dhe me jehonë shumë të efektëshme, sidomos në vitet 70-të, ku rivaliteti ishte shpërthyes dhe i ngrohur në kazanin e dëshirës së zjarrtë të sportëdashësve. Kampionë që të vegjël me moshat dhe shkëlqyen pa mbushur të 20-tat. Madje Rama 19 vjeçar fitoi rrethin e 27-të çiklistik, ndërsa Zino rrethin e 29-të dhe të 35-tin. Kupat dhe trofetë e ndryshme të fituara deri në moshën 31 vjeçare nuk numërohen, duke e mbuluar çiklizmin durrsak, atë të “Partizanit” dhe atë shqiptar, me flamurin e suksesesve të mëdha të fitoreve.

Ndërmjet Zinos dhe Ramës lindi një debat i “ashpër” dhe që kërkonte të zgjidheshin shumë probleme të mbetura pezull pas 41 vitesh. Shumë gazmore dhe njëkohësisht edhe serioze ishin këto “përplasje”, sa na u desh të ndërhynim për t’i ndarë si një gjyqtar boksi. Teknika dhe taktika pedalimi. Bllokimi dhe strategji të kundërshtarëve. Karakter dhe vullnet të jashtëzakonshëm gare veçanërisht në ngjitjet malore dhe këtu Rama dhe Zino, i kanë dhënë autoritet atij që quhet zhvillimi i çiklizmit durrsak. Kujtojnë me këtë rast dy vëllezërit Vath dhe Met Musta, binomi vërtitës i arritjeve. Po merita i jepen gjithashtu edhe Bashkim Kërtushës, një pasionant i lindur, për të kaluar tek pedaluesit e tjerë Nuredin Bllaka dhe dy vëllezërit e tij, Haki Nikoçi, Gëzim Kopliku, Valentin Mustaka, etj.

Fama e çiklizmit të “Lokomotivës”, ia kalonte edhe futbollit. Populli i përkundte në valët e kënaqësisë m’u si një djep fëmije dhe i mbajti gjithnjë si pjesë të mburrjes, mbase, mbase edhe të përjetshme. Zino 18 vjeçar u aksidentua duke kaluar në një gjendje, ku jeta dhe largimi prej saj qëndronin në fije të flokut. Luti dhe Dashi ndritën edhe tek “Partizani”, shkëlqim që nuk u venit deri në ditën e fundit që zbritën nga biçikleta e startit. Ata e vazhduan zanatin e vjetër duke drejtuar ekipe. Zino me suksese të mëdha, teksa drejtoi për tetë vite çiklizmin e “Besës”, duke i dhënë kampionë dhe nder këtij qyteti, që kishte njohur deri atëhere vetëm futbollin. Dhe Kavaja ia diti për nder Lutfi Zinos, duke i dhënë titullin honorifik “Qytetar Nderi i Kavajës”.

Në fillimin e viteve 2000, djali i Ali Zinos riaktivizoi traditën në Durrës, duke nxjerrë figura të tilla qendrore të çiklizmit shqiptar si Ermir Avdollin dhe Leonard Zenelin. Madje për këtë të fundit, ndjehet paksa përgjegjës, pasi po të luante futboll mund të ishte nga më të njohurit në Shqipëri dhe më gjërë. E Dash Rama e mori në dorëzim çiklizmin, pas vitit 2010 e në vazhdimësi.

Që të dy këto mjeshtra të pedalimit, janë nga më të famshmit jo vetëm në Durrës por edhe në Shqipëri. Kam qenë me fat që në këtë mëngjes të gjatë të 14 nëntorit 2021, këto dy emra gjigandë dhe autoritarë të çiklizmit i kisha jo vetëm miq, por m’u çfaqën me kostumin e dikurshëm të lavdisë dhe krenarisë. I shikoja, i vështroja me shumë mall dhe kujtimet më kalonin çurk m’u si lotët, që krijojnë gërshetin e rruzave të lotimit në mollëzat e faqeve. Kanë dhënë shumë, kanë sakrifikuar shumë, kanë qenë edhe në buzë të humnerës dhe kanë mbijetuar.

Nuk harrojnë kohën e vështirësive, por edhe të mbajtjes në krah nga të zjarrtët amatorë të çiklizmit durrsak. Pritjet që i bëheshin çiklistëve, nuk mund të krahasohen me asnjë pritje tjetër. Njerëzit i rrethonin dhe donin ti preknin sikur të ishin zotët e tyre. Dhe dy zotërinj nga më të nderuarit të dyrrotakëve, i kisha në atë qoshen time aq të ngrohtë për miqtë dhe shokët.

Dashi më tregoi se, Durrësit i kanë ardhë dy çiklistë shqiptarë që pedalojnë në Toskana. Tashmë Shqipëria që nga pranvera e vitit 2017 është në organizimin e Federatës Botërore të Çiklizmit (UCI) dhe profesionizmi është parësor. Rrethet tona tanimë nuk e kanë lokalizmin dhe amatorizmin e dikurshëm, ndonëse shpirti i llojit të Zinos dhe Ramës, nuk ka shanse të çfaqet më.

Dash Rama nuk e prishi rregullin e përditshëm, teksa përshkon për çdo ditë 20 kilometra rrugë, me një biçikletë të pedalimeve ndërkombëtare. Miku im Rama më thotë që është e markës “Triestina”. E Zino ka ardhë nga plazhi me biçikletë të markës “Xhonti”. Ashtu i kam parë që nga viti 1967 dhe ashtu i shikoj edhe tani në vitin 2021, pas 44 vitesh. Të njëjtë në pasion. Të njëjtë në grintë dhe shpirt. Të dhënë pas biçikletës me një dashuri të përjetshme.

Bëmë dy foto, njërën në tavolinën e mikpritjes, që u kthye në këtë 14 nëntor 2021 në tavolinën e dashur të kujtimeve, mallit dhe përuljes ndaj dyrrotakëshit dhe tjetra së bashku në “majë” të biçikletës, ashtu si dukur që së bashku korrnin triumfin e jetës së tyre të pedalimit. U ndamë me mall. Luti duke nxituar në kushtet e një gare për të kapur avionin e linjës Rinas-Varshavë-Njujork, e Dash Rama nxitonte për të përfunduar kilometrat e fundit, të pedalimit të zakonshëm të 20 kilometrave.

U ndamë për tu ribashkuar, nuk e di sekur. Me siguri për të vazhduar këto kujtime që i lamë të hapura mbi tavolinë, si një libër i pambyllur që zor se do të soset ndonjëherë. Çiklizmit edhe në këtë mëngjes të 14 nëntorit 2021, i dhamë vëndin e merituar.

Mjeshtrat biseduan mjeshtërisht, duke e mbajtur si prush kurdoherë të ndezur dëshirën dhe përkushtimin ndaj çiklizmit. Tani janë kohë të tjera, por që s’do t’ja vlente po të harronim kohët kur Lut Zino dhe Dash Rama bën çiklizmin e madh, atë çiklizëm që historia do t’ja dij gjithnjë për nder.

Durrës: 14 nëntor 2021