Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur deklaratës së 24-vjeçarit Rexhep Rraja, i cili e paralajmëronte Bashën ta provonte në votime pasi sipas tij arrestimi ka ardhur si pasojë e politizimit të çështjes.
Basha shkruan në Facebook se djali i deputetit para se të ishte përdhunues vajzash ishte dhunues zgjedhjesh, ndërsa akuzon Ramën se po e mbron atë nga drejtësia.
"Para se të kthehej në përdhunues dhe torturues vajzash, Rexhep Rraja ishte dhunues zgjedhjesh. Rexhep Rraja dhe kriminelët e tjerë sollën në pushtet Edi Ramën, dhe pushteti i Edi Ramës e mbrojti atë nga dalja para drejtësisë për vjedhjen e votave. Pushteti që i ati dhe Edi Rama mbajnë me votat e vjedhura, e mbrojtën Rexhepin edhe kur përdhunoi. Prandaj Rexhepi është i habitur që ndodhet atje dhe kërcënon se do hakmerret kundër opozitës duke i vjedhur prapë zgjedhjet. Sepse Rexhepi e di mirë se kur vjedh zgjedhjet je zot që mund të bësh çfarë të duash, të grabisësh të përdhunosh të vrasësh. Që Rexhepi të mos dhunojë më, duhet që Edi Rama të mos ketë më pushtet!"





