Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, së bashku me deputetë të tjerë demokratë, morën pjesë në Konferencën e Sigurisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u zhvilluan diskutime të nivelit të lartë me kongresmenë amerikanë dhe përfaqësues nga Ballkani Perëndimor mbi sfidat e reja të sigurisë në një kontekst global gjithnjë e më të ndërlikuar.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se tri shtylla kryesore u evidentuan gjatë diskutimeve: siguria ekonomike, procesi i integrimit europian dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike. Sipas saj, këto nuk janë më thjesht politika zhvillimi, por elementë thelbësorë të sigurisë kombëtare, veçanërisht për vende si Shqipëria.

Tabaku nënvizoi se Shqipëria, ka bërë hapa pas në këto drejtime vitet e fundit, ndërkohë që këto fusha lidhen drejtpërdrejt me angazhimet e vendit ndaj NATO-s dhe me besueshmërinë e saj si partnere strategjike. Ajo theksoi rëndësinë jetike që vendi të ketë mekanizma të fortë për kontrollin e parasë që qarkullon në ekonomi dhe për orientimin e investimeve drejt burimeve perëndimore, duke shmangur çdo kompromis që mund të cënojë sigurinë kombëtare.

Duke iu referuar skandaleve të fundit që lidhen me sigurinë e të dhënave personale dhe infiltrimin e rrjeteve kriminale, Tabaku paralajmëroi se këto zhvillime dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë dhe rrezikojnë marrëdhënien afatgjatë të partneritetit me aleatët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në përmbyllje, ajo bëri të ditur se nga të gjithë pjesëmarrësit e forumit u përcoll një thirrje e fortë dhe e qartë për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, një mesazh që, sipas saj, vjen fuqishëm si nga administrata amerikane ashtu edhe nga Kongresi amerikan.