Periudha e pranverës ka brenda edhe ditët me diell por edhe ato me vranësira dhe shi. Sipas meteorologëve, kjo javë parashikohet kryesisht e paqendrueshme, por nuk do të mungojnë edhe orët apo ditët me diell.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, java nis me diten e hënë dhe mot me alternime kthjellimesh e vranësirash deri të dendura. Reshje shiu me intensitet të ulët kryesisht në relievet kodrinore-malore dhe zonën e jugperëndimit.

Për ditën e martë moti parashikohet kryesisht me diell (kthjellime) si dhe alternime vranësirash hera-herës deri të dendura në mesditë. Në pjesën e parë të ditës reshje shiu të dobeta e shtrëngata lokale në zonën e qendrës dhe jug.

Dita e mërkurë parashikohet me mot të vranët e reshje shiu me intensitet të ulët dhe kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave.

Në zonën e veriut në pjesën e parë të ditës reshjet me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive. Në zonën e Alpeve dhe verilindje reshje dëbore me intensitet të ulët dhe mesatar.

Dita e enjte parashikohet me mot kryesisht të kthjellët e vranësira kalimtare.

Java mbyllet me ditën e premte e cila nis fillimisht me mot të kthjellët e shtim vranësirash prej orëve të mesditës. Në momentin e shtimit të vranësirave reshje shiu të dobëta e shtrëngata afatshkurtra në një pjesë të madhe të vendit.