Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, parashikon reshje më të dendura në të gjitha qarqet, gjatë mbrëmjes së kësaj të marte (20 mars) dhe paradites së të mërkurës (21 mars).
Sipas IGJEUM, reshjet më intensive do të jenë në qarqet Shkodër dhe Kukës, ndërsa në qarqet Dibër, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje mesatare.
Qarqet Durrës dhe Berat pritet të kenë reshje të dobëta deri në lokalisht mesatare. Në shumicën e qarqeve në disa raste do të shoqërohen me shtrëngata (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).
RREZIKU NGA PËRMBYTJET
————————————–
Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta. Sot (e martë, dt.20) në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të vazhdojë të ketë RRITJE të niveleve të ujit dhe RRITJE TË HARTËS SË PËRMBYTJEVE. Nesër (e mërkurë, dt.21) do të vazhdojnë PRURJE TË LARTA në pjesët malore të basenit duke përfshirë edhe hidrocentralet mbi lumin Drin. Nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të jenë TË LARTA për shkak të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Drin në drejtim të Lumit Buna. Parashikimet e IGJEUM për ditët në vazhdim tregojnë NIVELEVE TË LARTA përgjatë datave 22 dhe 23 Mars 2018. Pritet ZGJERIM I HARTËS SË PËRMBYTJEVE në pjesën e Nën Shkodrës dhe përmbytjes të zonave periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të Liqenit. Për arsye të shtimit të rrezikut nga përmbytja, është vendosur të mbahet shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës. Ngjyra e kuqe e qarkut është vendosur për shkak të rrezikut nga përmbytjet. Në pjesën tjetër të territorit parashikohet RRITJE E PRURJEVE në pjesët fushore të lumenjve.
Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve të ardhshme dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve.
TEMPERATURAT
Nesër (e mërkurë, dt.21) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 8 / 15 °C
në vendet e ulëta: 8 / 15 °C
në vendet malore: 3 / 11 °C
ERA
Sot pasdite (e martë, dt.20) era pritet të fryjë e lehtë deri në mesatare, ndërsa nesër (e mërkurë, dt.21) era pritet të fryjë mesatare deri në e fortë.





