13 korrik 2015 – Numri i lartë i aksidenteve në rrugë tregon qartë se shoferët shqiptarë jo gjithmonë i respektojnë rregullat e qarkullimit apo sinjalistikën.

Mungesa e audituesëve të sigurisë rrugore, personave ekspertë që përcaktojnë se si duhet te jetë sinjalistika në një aks rrugor, bëjnë që shpeshherë shoferët të shfajësohen, pasi të paktën për sinjalistikën vertikale, ekspertët thonë se është çorientuese për përdoruesit e rrugës në disa segmente kryesore.

Në Rrugën e Elbasanit, nga Fakulteti i Filologjisë deri te rrethrrotullimi i Saukut, janë vendosur tabela të pakuptimta. Me një distancë prej 60 metrash, janë vendosur tabela kontradiktore me njëra-tjetrën dhe me shpejtësinë minimale të lëvizjes së mjeteve.

Tiranë – Durrës është rrugë interurbane, ku shpejtësia e lejuar është 90 km/h, por ajo që të gjithë e njohim si autostradë, fillon me një kufizim shpejtësie, 60 km/h dhe vetëm pas 7 km mund të udhëtohet me 90 km/h.

Eksperti i Sigurisë Rrugore, Fatmir Hasho, thotë se një rrezik i shtuar janë edhe gjysmësferat e vendosura në anë të rrugës. Në rast të humbjes së kontrollit nga një drejtues, ato do t’i përforconin pasojat e aksidentit.

Por në kryeqytet ndodh edhe kështu, një tabelë pranë Pallatit të Kulturës, që detyron shpejtësinë deri në 30 km/h, me shumë mundësi nga dikush që aspiron të jetë ekspert i rrugës, është kthyer me 80 km/h.

/Tv Klan/