Të dëmtuara nga efekti kohë apo nga persona të papërgjegjshëm, tabelat informuese pranë monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Durrësit shfaqen në gjendje të mjerueshme.
Shpeshherë të palexueshme, në vende të tjera të shkulura nga vendi ato kanë dështuar në funksionin e tyre për t’i përcjellë vizitorëve të huaj informacionin e nevojshëm për trashëgiminë e pasur arkeologjike e historike të qytetit.
Për kryeredaktorin e medias “Amfora”, Geri Emiri ka ardhur koha tashmë që ato të jenë të aksesueshme përmes informacionit digjital.
“Tabelat e monumenteve të kulturës nuk duhet të jenë më vetëm informative me tekst dhe foto shoqëruese, por mbi të gjitha duhet të kenë edhe barcode, që mund të skanohen dhe pas kësaj turistët mund të kenë mundësi të shohin përmes celularit të tyre më shumë informacione mbi këto monumente, informacione këto që ofrohen nga autoritetet publike apo organizata të caktuara”,– thotë Emiri për “DurrësLajm”.
E vetmja qendër digjitale informacioni për trashëgiminë e pasur kulturore të Durrësit do të jetë Kulla Veneciane, e cila pritet të hapet për publikun në muajin qershor.
Por hapja e Kullës Veneciane nuk mund të zgjidhë anomalitë që kanë shumë prej tabelave informuese apo orientuese.
“Kthimi i Kullës Veneciane në gati një muze virtual është një inovacion për qytetin e Durrësit dhe trashëgiminë tonë kulturore, por nga ana tjetër duket që kemi një stonim. Nga një anë është inovacioni dhe nga ana tjetër tabelat pranë monumenteve të kulturës jo vetëm që janë dëmtuar nga kushtet atmosferike por shpeshherë ato përmbajnë informacione të pasakta apo orientojnë në drejtime të gabuara.”– deklaron Emiri.
Këtë vit, autoritetet vendore synojnë rritjen e numrit të turistëve të huaj që do të vizitojnë Durrësin gjatë sezonit veror. Fluks turistësh pritet edhe pranë monumenteve të trashëgimisë kulturore, pavarësisht se disa prej tyre do të jenë të mbyllur për shkak të projekteve restauruese si Muzeu Kombëtar Arkeologjik, Hamami turk, Muzeu Etnografik etj.
Bashkia e Durrësit ndërkohë pritet të ketë gati para nisjes së sezonit turistik aplikacionin visitdurres.al me informacion mbi turizmin në gjuhën shqipe dhe angleze.
Ndërkohë është realizuar edhe hartën e re e qytetit në gjuhën angleze, ku turistëve të huaj u përcillet informacion gjithëpërfshirës për shumë nga monumentet e trashëgimisë kulturore.
M.B.