DURRËS, 18 TETOR 2014– Partia Social Demokrate e Serbisë (SDS) e ish presidentit serb, Boris Tadiq, sonte përmes një njoftimi i ka dënuar ashpër aktet e dhunshme të huliganëve ndaj shqiptarëve dhe pasurisë së tyre në shumë qytete të Serbisë. “I ftojmë organet përgjegjëse që sa më parë t’i gjejnë dhe t’i sanksionojnë ata që i kryen këto akte dhe që të dalin në mbrojtje të gjithë qytetarëve tonë dhe të drejtave dhe lirive të tyre kushtetuese”, thuhet në njoftimin e SDS-it, transmeton Indeksonline. Lideri i SDS-it, Boris Tadiq ka deklaruar në njoftim se nuk duhet lejuar që provokimet politike dhe dhuna e tifozëve nga një ndeshje futbolli të cenojë të gjitha ato që janë arritur deri me tash në zhvillimin e dialogut dhe kompromisin historik ndërmjet popullit serb dhe shqiptar. “Sjella agresive dhe nxitja e frikës nacionaliste në ditët e kaluara edhe nga ana serbe edhe nga ana shqiptare, janë rezultat i parregullsive në ndeshje futbollit, mirëpo këto sjellje duhet urgjentisht të largohen nga niveli politik. Shpresoj që këto ndodhi janë incidenti individuale dhe se kryeministri shqiptar do të vije në vizitë në Beograd dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë do të vazhdojë”, ka thënë Tadiq. “I ftojmë anëtarët dhe miqtë e partisë sonë, si dhe të gjithë qytetarët, që të mbrojnë komshinjtë e tyre shqiptarë dhe bashkëkombësit nga secili lloj i agresionit dhe sulmit në lirinë e tyre”, thuhet në njoftim.