Tiranë, 2 korrik 2014 – Vrasja e biznesmenit Artan Santo është bërë objekt debati në Komisionin Parlamentar të Ligjeve ditën e sotme ku po diskutohej projektligji për armët.
Deputeti i PD-së, Eduard Halimi theksoi se “kriminelët me motor po vrasin biznesmenë afër Kuvendit dhe çështja e sigurisë publike aktualisht është përtokë”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri që kërkoi që çështja të mos politizohet. Sipas Tahirit, ai që vrau Artan Santon kërkonte patjetër të bënte zhurmë.
“Vrasja e Artan Santos është ngjarje e rëndë. Ne po hetojmë, hetimet kanë vështirësi. Mos e politizoni çështjen, bëhuni me policinë Ai që vrau Artan Santon donte të bënte zhurmë”, tha Tahiri.
Por menjëherë reagoi edhe deputeti tjetër i PD, Arben Ristani që u shpreh se “Ai që ha drekë me kriminelët flet për krimin”.
Diskutimi i dy projektligjeve
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka prezantuar sot në Komisionin e Ligjeve dy projektligje të paketës së sigurisë publike dhe atë të përdorimit të armëve të zjarrit. Tahiri u shpreh se do vendosen rregulla të forta për sa i përket pajisjes me armë.
Ministri, i cili i mbrojti personalisht këto ndryshime, ka kërkuar rishikimin e ligjit për mbajtjen e armëve në shtëpi si dhe të dënohet mbajtja e armëve me vete.
“Policia e Shtetit duhet të ketë armë të pakrahasueshme me të tjerët. Me ligjin e ri askush nuk do të lejohet të mbajë armë për përdorim luftarak, si kallashnikov. Që të marrësh një armë dhe që të liberalizohet e drejta e për t’u pajisur me armë duhen rregulla të forta. Përcaktohet mosha 25 vjeç dhe kritere të tjera, si të mos jesh debitor ndaj shtetit”, ka theksuar Tahiri.
Sipas tij edhe mbajtja e armëve të ftohta do të merret parasysh në ligjin e ri. Sa i përket përdorimit të armëve nga policët, ministri i Brendshëm ka theksuar se policia do të qëllojë vetëm nëse i rrezikohet jeta. Duke përmendur shembullin e “21 janarit”, Tahiri ka theksuar se arma nuk do të përdoret për të shpërndarë protestat. Ndërkohë deputetët e opozitës kanë akuzuar ministrin Tahiri se ky ligj nuk garanton sigurinë publike.
Në fund, Komisioni i Ligjeve i miratoi me votat e mazhorancës ndryshimet për përdorimin e armëve të zjarrit, ndërsa dy deputetë, Nard Ndoka dhe Fatmir Mediu abstenuan.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





