Pas reagimit zyrtar të Policisë së Shtetit një ditë më parë, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në lidhje me lajmin e publikuar në gazetën “Shekulli”, në pronësi të Koço Kokëshimës, ku shkruhej se sipas një raporti sekret, punonjës e drejtues të lartë të Policisë janë të implikuar në kultivimin e kanabisit në Shqipëri.
Tahiri i ka cilësuar spekulime madiatiko-politike, teksa shtoi se janë pallavra të dala nga llumi i politkës, duke iu referuar këtu ish-deputetit socialist, Kokëshimës.
“Policia ka reaguar zyrtarisht, bëhet fjalë për një përpjekje goxha intensive për të përbaltur punën e Policisë së Shtetit dhe tashmë përveç SHQUP-it, hyjnë dhe segmente të caktuara të medias që kanë edhe guximin të fabrikojnë medemek raporte edhe nga SHISH, herë nga partnerët që nuk ekzistojnë gjëkundi dhe synojnë përbaltjen e punës Së policisë. Nuk do të doja që këtë ditë të shënuar sot ta shpenzoja me pallavra që është mësuar ky cikël llumi në politikë dhe disa segmente të medias ndaj të gjithë atyre që nuk përputhen me interesat e tyre politike, personale dhe shpeshherë kriminale”, tha Tahiri.





