Itali, 10 qershor 2014  – Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri po zhvillon sot një vizitë pune në Romë, Itali, ku u prit në një takim të veçantë nga Ministri i Brendshëm italian z. Angelino Alfano. Ministri i Brendshëm i Italisë u shpreh shumë i impresionuar nga rezultatet e policisë shqiptare në këto muaj.  

Dy ministrat, në takimin e tyre kokë më kohë, ranë dakord për të forcuar më tej bashkëpunimin në luftën kundër trafikut të drogës. Italia është e gatshme të ofrojë asistencë për luftën kundër kultivimit të drogës.    

Ministri Tahiri u shpreh se qeveria shqiptare është e angazhuar për një luftë pa kompromis kundër këtij fenomeni, duke theksuar se siguria e një vendi do të thotë edhe më shumë siguri për gjithë vendet fqinje dhe rajonin.  

Nga ana e tij, Ministri Alfano tha se përkrah Shqipërinë në procesin e integrimit evropian dhe se do të lobojë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Ministri Tahiri e ftoi ministrin italian për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u mirëprit nga ministri Angelino Alfano dhe kjo vizitë do të realizohet së afërmi.   

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi pati takime me drejtues të lartë të Policisë italiane, ku u diskutuan aspekte të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve në të dy anët e kufirit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/