2 korrik 2015 – Arben Frroku nuk kishte asnjë ndalim ligjor për të lëvizur brenda apo jashtë vendit, pasi u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Kështu ka deklaruar ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në seancën e sotme parlamentare, ku ka dashur të reagojë për këtë çështje pas akuzave të PD-së se Frroku është ndihmuar nga kryeminsitri Rama.
“Dua të bëj edhe një sqarim për dy deklaratat e fundit lidhur me shtetasin Frroku që është larguar nga Shqipëria, medemek se i hapi rrugën Edi Rama.
Pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, sipas së cilit shtetasi ishte i pafajshëm dhe si i tillë i lirë, zotëria në fjalë nuk kishte asnjë ndalim ligjor për të lëvizur lirshëm brenda apo jashtë vendit. Në pikën kufitare, në kufirin shqiptar ky shtetas është regjistruar në regjistrin manual sepse TIMS nuk funksiononte. Regjistri është aty dhe mund të shihet. Nesë PD-ja ka ankesë mund t’i drejtohet prokurorisë. Po keni ndonjë merak shkoni verifikojeni”, u shpreh Tahiri.
Arben Frroku është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi u shpall fajtor nga Gjykata e Apelit për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/