Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka vijuar me akuzat ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj. Në një deklaratë për shtyp, ai e konsideron skandaloz  dhe të padrejtë vendimin e caktimit të masës së sigurisë ‘Arrest shtëpie’ për dy punonjësit e Policisë së Shtetit.

“Në vazhdim të denoncimeve tona për vendimarrjen skandaloze të gjyqtarit Aliaj, sot para jush, pas vendimit të sotëm të këtij gjyqtari janë lënë në arrest shtëpie dy punonjës të mirë policie. Ata kanë kryer me përkushtim detyrën. Gjyqtari Arjan Aliaj ka vendosur masën arrest shtëpie për oficerin Altin Duka, me agrumenta skandaloze, të cilët nuk janë të denja as për një student të juridikut. “ Duka ka përdorur programin e trajnimit dhe ja ka paraqitur shefit të tij.”, tha Tahiri.

“Nuk janë argumente për të mbajtur në arrest shtëpie, por janë për të bërë qokën e radhës. Pra Arjani nuk paska kontrolluar dokumentet, ka hyrë në marrëdhënie shoqërore me italianët.

Argumentet që mbajnë në arrest shtëpie Xhelilajn janë akoma më qesharake dhe tregojnë dhunën politike që mban peng këtë gjyqtar të dënuar të shërbejë si i devotshëm ndaj pushtetit politik që e mbron nga ato që ka bërë. Nuk di me cilën kurajë gjyqtari ka shkruar për mjetin i përgjimit, se nuk ka asnjë të tillë.

“Oficeri ka hyrë në marrëdhënie me grupin italian me qejfin e tij pa asnjë urdhër”, kështu shkruhet në vendim. Këto janë të vetmet argumente që mbajnë në arrest shtëpie një punonjës policie.

Po flasim këtu për një gjyqtar që ka liruar vrasës dhe përdhunues, dhe ka lënë në arrest shtëpie dy oficerë policie me argumentet që sapo thashë. Argumentet më banale që mund të shpikeshin për të bërë qokën e radhës. Kanë të vetmin synim për t’i zënë në fyt shqiptarët, për shkak të rrugës drejt ligjshmërisë që ne kemi marrë. Këto argumente janë prova më e qartë e etheve që i ka zënë këta”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Më tej Tahiri theksoi se në këtë situatë nuk kanë rëndësi emrat e përveçëm, por fenomeni i kapjes së drejtësisë.