TIRANË – Deputeti i Partisë Socialiste Saimir Tahiri deklaroi se kryeministri Sali Berisha tentoi të ndalonte sot me polici publikun të mësonte me pamje filmime ngjarjet e 21 janarit.
“Sot pamë kryeministrin që thoshte se i përbetohet publikut se drejtësia do veprojë dhe se do bëjë transparencë. Por, po sot ky njeri me policinë dhe ish- Ministrin e Brendshëm ndaluan mediat të transmetonin live një homazh të ngjarjeve të 21 janarit, ndaluan një filmim për 21 janarin”,- tha Tahiri. Duke akuzuar Berishën se ishte njeriu që dha urdhër për të qëlluar me armë më 21 janar, Tahiri tha se pas 23 qershorit drejtësia do të vihet në vend.
“Ky njeri dha urdhër për vrasjet më 21 janar dhe sot ndaloi publikun të shohë të vërtetat e 21 janarit. Ne e garantojmë kryeministrin dhe ish-ministrin e Brendshëm se nuk do të ndalojë drejtësinë dhe nuk do i shpëtojnë dot drejtësisë. Drejtësia do bëhet pas 23 qershorit. Garantojmë se gjithçka do bëhet për të nxjerrë përgjegjësit para ligjit”,- tha deputeti socialist.