Në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ku ka prezantuar projektligjin për sigurinë publike, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se ky projektligj, detyron bizneset dhe subjektet e tjera që të vendosin kamera apo edhe polici private në ambientet e tyre. Sipas ministrit, kjo synon të rrisë efikasitetin në parandalimin e veprave të ndryshme penale.
“Duhet një bashkëpunim i fortë me komunitetin, pasi siguria në vend nuk është vetëm përgjegjësi e policisë”, tha Tahiri, i cili shtoi se ligji është themelor në luftën kundër terrorizmit, në një kohë kur e gjithë bota është mbërthyer nga frika e sulmeve.
Projektligji u kundërshtua nga ana e demokratëve në komision, të cilët thanë se parandalimi i ngjarjeve kriminale në vend është në nivelin zero. Sipas demokratëve, vendosja e kamerave nuk është zgjidhje, pasi edhe në rastet e vrasjes së bankierit Artan Santo apo rrëmbimit të Enver Stafukës, filmimi nga kamerat e sigurisë nuk ka çuar ende në identifikimin e autorëve apo të arrestimit të tyre.





