DURRËS, 4 shkurt 2015 –  Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto kanë inspektuar në mesditë rezervuarin e Manskurisë, në Komunën Golem të Kavajës. Ky rezervuar, për shkak të reshjeve të shumta është tejmbushur me ujë dhe për pasojë diga e tij ka pësuar një dëmtim duke rrezikuar çarjen dhe përmbytjen e zonave përreth. Autoritetet kanë ndërhyrë për të hequr ujin me anë të pompave.

PRONONCIMI PËR MEDIA I MINISTRIT TAHIRI:

“Jeni në dije që prej disa ditësh zona të caktuara të vendit janë në situatë kritike për shkak të motit, reshjeve dhe një ndër zonat kritike, që janë evidentuar si të tilla është edhe kjo ku jemi për shkak të prurjeve të mëdha që kanë rritur ndjeshëm nivelin e rezervuarit, por mesa duket jemi edhe përpara dorës së papërgjegjshme të njeriut lidhur me infrastrukturën që duhet të garantojë sigurinë e rezervuarit, digës e kështu me radhë.

Për ne prioriteti absolut është të shpëtojmë jetët e njerëzve, ndaj kanë filluar që dje të gjitha autoritetet shtetërore nën drejtimin e Prefektit të Tiranës dhe Shtabit të Emergjencës për njoftimin e banorëve në zonë lidhur me rrezikun potencial që ekziston për këtë situatë, e para, dhe e dyta duhet ta shfrytëzoj këtë rast për t'u kërkuar mirëkuptim banorëve që së bashku me autoritetet të përballemi me pasojat eventuale që mund të vijnë në rast se ndodhin dëme shumë më të mëdha se këto që janë, qoftë duke pranuar evakuimin, qoftë duke mos u kthyer në zonat që kanë problem ose risk potencial për probleme të mëdha.

Nga ana tjetër e tha kolegu shumë shpejt policia do të nisë hetim lidhur me dëme që mund t’i kenë ndodhur kësaj strukture për efekt të ndërhyrjeve të gabuara.

Hetimi do të përfshijë si projektimin ashtu edhe implementimin e projektit, sepse për ne është shumë e rëndësishme që të dallojmë nga njëra ana përpjekjen tonë për të përballuar fatkeqësitë natyrore, por, nga ana tjetër, për të parandaluar në të ardhmen përsëritjen e tyre, për më tepër kur këto ndodhin nga dora e njeriut”.

Gazetari: A keni informacion që struktura e vjetër e këtij baseni ka dalë jashtë përdorimit në momentin kur u ndërhy për të ndërtuar ujësjellësin?

Ministri Tahiri: Nuk më duket që ka shumë lidhje pyetja. Ajo që ne na duhet tani është të përballemi me situatën emergjente. Më pas, pas një hetimi të plotë do të marr përsipër të zbardh edhe këto që interesoheni ju. Mesa më thanë ekspertët ka diçka që nuk shkon dhe që do hetuar, kështu që policia do jetë këtu për ta hetuar.

/th.m. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/