2 dhjetor 2013-  “Janë me dhjetëra studentët italianë që po hetohen, të diplomuar në universitetet private në Shqipëri, por që në fakt nuk i kanë ndjekur leksionet asnjë ditë”. Kështu është shprehur ministri i Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri në një intervistë të dhënë për Radion 24, e cila ka tërhequr vëmendjen e gazetës La Repubblica.

“Ne nuk duam turizëm me diploma të blera, këto studentë fantazmë janë nën hetim për korrupsion, shpërdorim detyre dhe krime të tjera.”- thekson Tahiri ne prononcimin e tij.

Mes studentëve që janë nën hetim është edhe Renzo Bossi, djali i Umberto Bossit, një nga rastet më publike në Shqipëri dhe Itali, i cili kishte marrë një diplomë në një universitet privat shqiptar, pa qenë asnjë ditë në leksione.

Në Tiranë, shkruan La Repubblica, qeveria ka nisur një operacion të verifikimit të cilësisë së universiteteve private. Në këtë pikë, ministri i Brendshëm është shprehur se Shqipëria synon të realizojë një vlerësim me anë të një shoqërie ndërkombëtarë të cilësisë së universiteteve.

“Studentët fantazmë janë një dëm për të gjithë. Ka rreth 10 studentë italianë që ne po i hetojmë, që kanë marrë një diplomë në shkencat shoqërore pa qenë asnjë ditë në leksion”- është shprehur Tahiri.

Tahiri ka konfirmuar po ashtu se po hetohet edhe për ata njerëz që shkojnë jashtë vendit për të gjetur njerëz që duan dhe paguajnë për diploma të tilla.