TIRANE , 3 nëntor 2013 – Ish-komandanti i Njësisë Speciale në Gardën e Republikës, Agron Malaj, i drejtohet Gjykatës për të kundërshtuar shkarkimin e tij nga detyra. Malaj, i lakuar si një nga anëtarët e “grupit të zjarrit” gjatë demonstratës së 21 janarit 2011, u lirua nga detyra me urdhër të Ministrit të Brendshëm më 18 tetor.
Dy javë më pas, ai ka trokitur në Gjykatën e kryeqytetit përmes një padie civile, me të cilën kërkon anulimin e këtij urdhri. Padia e ishoficerit të Gardës, Malaj, është regjistruar më 30 tetor në Gjykatë dhe mban numrin 189222. Si palë e paditur në këtë kërkesë është Garda e Republikës dhe Ministria e Brendshme. “Anulim i urdhrit nr. 581, datë 18.10.2013 të ministrit të Brendshëm”, thuhej në objektin e kërkesë-padisë. Në të njëjtën padi, ai kërkonte pagën e 20 muajve për prishjen e kontratës së punës dhe vjetërsinë në punë. “Detyrimin e të paditurve që të më paguajnë pagën e 20.5 muajve për zgjidhje të menjëhershme e të pajustifikuar të kontratës së punës, për shkelje të procedurës të afatit të njoftimit dhe për vjetërsi në punë”, kërkohej në padi. Kërkesa e Malajt do të shqyrtohet nga gjyqtarja Enkela (Bajo) Vlora, ndërkohë që ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë.
Ish-kreu i njësisë speciale në Gardë u shkarkua në të njëjtën ditë me nëntë efektivë të tjerë të Gardës. Mes të liruarve të tjerë ishin emrat e gardistit Fatos Skeja, ish-shoqëruesi i ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ilir Duraku, nënkapitene Marjana Prendi, bashkëshorte e ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi. Në motivacionet e përjashtimeve ishin ato të daljes së paautorizuar jashtë shteti, si edhe mosparaqitje në punë për disa ditë me radhë.
/panorama/





