18 shtator 2015 – Siç ndodh rëndom ne emisionin "Opinion", kur flitet për boten e krimit ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka ndërhyrë ne telefon. Ndërkohë që në të njëjtën kohë "Top Channel" transmetonte direkt intervistën me kryeministrin Rama, ministri Tahiri ka ndjekur debatin në Klan duke tentuar t’i përgjigjej akuzave për lidhjet e tij personale dhe familjare me botën e krimit. Por akuzave të drejtpërdrejta ndaj tij, ministri u është përgjigjur me të tjera akuza ndaj gazetarëve në studio. Ironikisht ai ka falënderuar Blendi Fevziun që i ka kushtuar minuta të tëra akuzave për makinën e tij që sipas disa prej të ftuarve është përdorur për transportin e drogës, duke shmangur përgjigjen për këtë akuzë.
Debati mes drejtuesit të emisionit dhe ministrit të Brendshëm ka qenë gazetaresk, pasi zoti Tahiri “i ka kërkuar llogari” Fevziut që pse nuk ka bërë emision të posaçëm kur policia ndërmori aksionin në Lazarat, edhe pse ky i fundit e “sqaroi” që emisioni ka qenë jashtë sezonit të transmetimit në periudhën e aksionit, rreth 1 vit e gjysmë më parë.
Akuzat e Zaganit, ministri Tahiri i konsideron thjesht përpjekje për të marrë strehim politik. Ndërsa vetëm pas këmbënguljes së gazetarëve në studio, ministri i Brendshëm sqaroi se makina e tij personale, e dyshuar për përdorim në transportin e drogës ka qenë e shitur dhe ai disponon deklaratën noteriale. Edhe pse në sistem kjo makinë rezulton ende ne emër të Saimir Tahirit, ai sqaroi që kjo ndodh pas një burokracie që ka lidhje me bllokimin e llogarive të tij bankare pas gjyqëve që ka pasur me përfaqësues të PD-së. Tahiri deklaroi se për të qenë korrekt do të merrte kredi për të shlyer detyrimet dhe për të çliruar llogaritë bankare.
Ministri i Brendshëm u kujtoi gazetarëve në studio se nëse për komisar Zaganin, çështja e makinës së tij do të ishte shqetësim, do të bënte mirë që ta kishte denoncuar më parë. Saimir Tahiri nuk iu përgjigj pyetjeve, ama nuk ngurroi të akuzonte politikanë dhe gazetarë në studio. Gjithsesi “meraku” më i madh i ministrit ishte të mos përflitej dhe shahej pas ndërhyrjes telefonike në studio, duke mos dhënë në fakt asnjë përgjigje për pikëpyetjet e ngritura ndaj punës, por dhe dyshimeve për përfshirjen e tij në trafikun e narkotikëve. Lapsi.al