13 janar 2014 – Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri inkurajoi forcat e Policisë së Shtetit të vijojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe paligjshmërisë në vend, duke siguruar mbështetjen dhe vullnetin politik për t’a çuar deri në fund këtë betejë. Në ceremoninë e mbajtur me rastin e 101-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, ministri Tahiri tha se megjithë debatin e krijuar ditët e fundit, janë qytetarët ata që e vlerësojnë punën e Policisë.

Fjala e ministrit Tahiri në ceremoninë e 101-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit:

Sot është një ditë e shënuar për Policinë e Shtetit dhe të gjithë ne, sepse festohet 101 vjetori i krijimit të saj. Padyshim sot, nuk besoj se ka njeri që nuk dallon se arritjet e derisotme të Policisë së Shtetit të jenë të mëdha, në reformimin e saj dhe në luftën e saj kundër paligjshmërisë, por ky është një moment për të kuptuar, se ajo që vjen përpara dhe sfidat që kemi përballë janë shumë më shumë, sesa gjithçka që kemi arritur deri më sot.

Dhe nuk mund të mos falënderoj këtu të gjithë ata që në të gjitha hapat e zhvillimit të saj, në këto 101 vite të jetës së Policisë së Shtetit, të falenderoj të gjithë ata që nuk janë kursyer në ndihmën dhe kontributin e tyre, në asistencën për t’a bërë Policinë e Shtetit, agjencinë që kërkojnë qytetarët në përmbushje të kërkesave të ligjit dhe gjithashtu në luftën kundër çdo forme paligjshmërie në vend.

Këto ditë ka një debat të madh, shpesh edhe padrejtësisht, lidhur me punën e përditshme që bën Policia e Shtetit.

Nuk është vendi këtu t’u adresohemi, sepse do të gjej një rast tjetër për t’a trajtuar më gjerësisht, por dua të siguroj çdo punonjës policie në radhë të parë, se beteja jonë përballë paligjshmërisë, krimit të organizuar dhe korrupsionit, pa asnjë dyshim ka sfida të shumta dhe vështirësi të shumta, madje dua të inkurajoj çdo punonjës policie të bëjë detyrën në përmbushje të ligjit dhe në respekt të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke i siguruar se janë qytetarët ata që realisht, siç po e verifikojnë dhe do e verifikojnë dita-ditës, rikthimin e Policisë së Shtetit në krye të detyrës, në luftën kundër krimit të organizuar dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Padyshim që në këto disa muaj të parë, u kemi dhënë të gjithëve një mundësi të kuptojnë të paktën dy gjëra: se nga njëra anë kriminaliteti është masiv dhe tendenca e paligjshmërisë është masive në vendin tonë, kështu e gjetëm; por nga ana tjetër, sfida e Policisë së Shtetit për t’u përballur me kriminalitetin fillon nga vetvetja, nga nevoja për t’u reformuar dhe nga nevoja për t’u bërë më të fortë për t’u përballur me krimin.

Dhe dua t’ju siguroj për një gjë, se është në vullnetin tonë të zbatojmë dhe të përmbushim misionin e Policisë së Shtetit, duke zbatuar ligjin, duke luftuar pa asnjë kompromis çdo formë paligjshmërie, krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke mos njohur asnjë lloj imunitari ose të paprekshmi dhe duke u garantuar barazi para ligjit qytetarëve shqiptarë, duke përjashtuar në maksimum shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Eshtë kufi delikat, por unë jam shumë i bindur që duke reformuar vetveten, të jemi në gjendje që ndërmjet të dyjave, të gjejmë rrugën e drejtë.

Kemi ende rrugë për të bërë, Policia e Shtetit ka ende rrugë për të bërë për reformimin e saj dhe për t’i garantuar qytetarëve shqiptarë shërbim të denjë dhe dinjitoz në zbatim të ligjit.

Unë dua t’ju uroj edhe njëherë festën, dua të uroj pa asnjë dyshim familjet e punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës, dua të uroj çdo punonjës policie nga niveli zbatues e deri në nivelet më të larta të drejtimit, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, repartin RENEA; jemi një familje e madhe që në rrugën tonë për t’u bërë më të mirë kemi edhe sfida, por që po i përballojmë të gjithë së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë. Dhe unë jam shumë i sigurtë që qytetarët po e presin dita-ditës rikthimin e Policisë së Shtetit në krye të detyrës.