“U kemi ardhur në ndihmë më shumë se 3500 familjeve në nevojë gjatë kësaj periudhe duke u dërguar pako me ndihma ushqimore dhe me detergjentë. Por situata të tilla si kjo e pandemisë apo tërmetit dëshmojnë se jemi popull i varfër dhe janë shumë familje që kanë nevojë emergjente për ndihma”.
Kështu u shpreh nënkryetari i bashkisë, Florian Tahiri, i cili gjatë ditëve të pandemisë Covid-19, ashtu si edhe gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019, është fokusuar tek organizimi i punës për ndarjen e ndihmave nga Rezervat e Shtetit apo donacione të shoqatave humanitare dhe biznesmenëve në lagjet dhe njësitë administrative të Durrësit.
Tahiri sqaron se për të pasur një hartë sa më të saktë të familjeve në nevojë, bashkia e Durrësit operon me 5 lista: kërkesat fizike që depozitohen nga qytetarët pranë njësive administrative; kërkesat që vijnë pranë Call Center-it të ngritur në bashki ku janë vënë 3 numra telefoni në shërbim të qytetarëve; kërkesat që vijnë nga linja e gjelbërt; kërkesat që depozitohen pranë bashkëqeverisjes dhe lista e pestë është ajo e Shërbimit Social pranë bashkisë së qytetit bregdetar.
“Ne marrim në konsideratë të pesta listat dhe secila prej tyre ka një numër të konsiderueshëm familjesh të varfëra, që kanë nevojë për mbështetje në këto kohë të vështira që po kalojmë që nga fillimi i muajit mars”,- thotë Tahiri.
Vetëm pak ditë më parë, bashkia, në bashkëpunim të ngushtë me PNUD dhe shoqatën “Nehemia” dërgoi 150 pako me ushqime dhe detergjentë tek familjet rome në Nishtulla, një nga komunitetet më të varfëra në Durrës dhe njëkohësisht një nga komunitetet e dëmtuara më rëndë nga pandemia Covid-19. Masat kufizuese e kanë bërë të pamundur lëvizjen për anëtarët e këtij komuniteti, pjesa më e madhe e të cilëve e siguron mbijetesën përmes mbledhjes dhe shitjes së materialeve të riciklueshme në kazanët e mbeturinave.
M.B.





