TIRANË,18 shtator 2013- Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri vijoi sot axhendën e ngjeshur të takimeve me drejtuesit e sektorit të Krimeve të Rënda.
Lufta kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar, ishte fokusi kryesor i takimit të ministrit të emëruar me drejtuesit e lartë të policisë në Ministrinë e Brendshme.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe drejtori i Krimeve të Rënda, Tonin Vocaj si dhe Edmond Rizaj, drejtori kundër Krimit te Organizuar dhe Trafiqeve të Paligjshm.
Teksa ka pak ditë që ka marrë detyrën, ministri Tahiri ka pasur një axhendë të ngjeshur me takime, për të vënë në zbatim platformën e tij për rikthimin e policisë në detyrë dhe rikthimin e rendit dhe qetësisë në vend.
TAHIRI AXHENDË TAKIMESH ME KRERET E POLICISË , 131 TË SHOQËRUAR
Operacionet e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin në funksion të goditjes së veprimtarisë kriminale kanë vijuar edhe gjatë ditës së djeshme dhe po ashtu janë ndërmarrë një sërë masash për kontrollin e territorit duke organizuar shërbime policore, patrullime dhe pika kontrolli në vende të ndryshme të qyteteve, por dhe në akset rrugore në funksion të parandalimit të ngjarjeve.
Gjatë 24 orëve të fundit në sajë të këtyre masave të posaçme të ndërmarra nga Policia e Shtetit në të gjithë vendin është bërë e mundur të procedohen 83 persona të akuzuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale, si dhe të plotësohen kërkesë paditë për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes në 9 raste të dhunës në familje.
Ndërkohë, strukturat e Policisë së Qarkut Tiranë, brenda 24 orëve të fundit në Kryeqytet kanë bërë të mundur kapjen dhe më pas arrestimin në kushtet e flagrancës të 6 shtetasve, nga të cilët një shtetas i arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe 4 shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale si ( Dhunë në ambjentet familjare, plagosje, vjedhje në bashkëpunim etj). Janë shoqëruar në Komisariatet e Policisë 131 shtetas, janë kontrolluar 276 persona, 230 automjete të ndryshme për dokumentacion të rregullt apo xhama të errësuar. Po ashtu janë vendosuar 660 masa administrative për mos zbatim të sinjalistikës rrugore, parkim të gabuar, ecje tej normave të lejuara etj shkelje të Kodit Rrugor.
/BalkanWeb/





