Tiranë, 25 gusht 2014 – Një kapitull që duhet mbyllur e ka cilësuar ministri i Brendshëm Saimir Tahiri çështjen e ndërtimeve pa leje. Në takimin me drejtuesit e policisë ai u shpreh se kjo çështje është prioritet i Policisë së Shtetit dhe se kjo e fundit do të kontrollojë çdo tullë të vendosur pa leje.
“Nuk ka km katror në Shqipëri ku nuk ndërtohet pa leje ashtu siç nuk ka shtrat lumi që nuk shfrytëzohet barbarisht. Ndërtimi i paligjshëm nga vet pronari është vepër penale e jo më ndërtimi në pronë publike. Që nga sot Policia e Shtetit e cilëson prioritet veprat penale që lidhen me mjedisin. Çdo tullë pa leje në zonën tuaj është nën përgjegjësinë tuaj. Në 300 ditë 1507 persona janë proceduar për pushtim toke dhe ndërtim pa leje. Një vit më parë askush nuk merrej me këtë punë po nuk krahasohet me permasat e këtij problemi. Ndiqen të gjithë në gjendje të lirë procedimet pushohen ose vendosen gjoba. Kjo statistikë nuk është kurrë mjaftueshëm që policia mos bëjë detyrën me më shumë forcë. Kush ndërton pa leje ka kryer një krim para të gjithëve dhe do mbajë përgjegjësi para ligjit. Kush lejon ka kryer një krim edhe më të madh.”– u shpreh Tahiri.
Më tej, ministri Tahiri theksoi se shumë shpejt pritet që denoncimet e qytetarëve për çdo rast të krimit mjedisor që ata vërejnë të bëhet dhe online.
“Qytetarët që denoncojnë ndaj ndërtimeve të paligjshme dhe krimeve në mjedis, janë një dhuratë e çmuar e shoqërisë. Këta qytetarë duhet të shohin partner të fortë policinë e Shtetit, Brenda një kohë të shkurtër do bëjmë të mundur që denoncimin e ndërtimeve pa leje të bëhet online, do ndërmarrim një projekt në këtë aspekt. Koha për përgatitjet ka përfunduar, tani nis puna dhe rezultatet.”-tha Tahiri.
Deri më tani në Shqipëri janë prishur 1 mijë objekte pa leje ndërtimi. Kështu deklaroi kryeministri Rama. Sipas tij, qeveria do të vërë në zbatim një model të ri administrimi të territorit.
“Ne kemi ardhur në qeverisje për një vizion të qartë, për një qasje të re ndaj zhvillimit, për një model të ri të administrimit të territorit. Sot është dita të hapim një faqe të re, në një kapitull të ri lufte me krimin ndaj mjedisit. Deri tani arrijmë deri në 1 mijë objekte të paligjshme që janë goditur. Por është një numër aq mbresëlënës, dhe jo aq domethënës. Edhe vetë Inspektorati Kombëtar Urbanistik, do njoh një tjetërsim të plotë. Do kaloj nga një inspektorat që nuk na përgjigjet, dhe asaj që presim ne ndaj luftës”-bëri me dije Rama.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





