Tiranë, 26 gusht 2014 – Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në një konferencë për shtyp deklaroi se qeveria dhe Policia e Shtetit do bëjnë të pamundurën për të fituar betejën me krimin mjedisor, siç e quajti ai ndërtimet e paligjshme.
Tahiri i bëri thirrje qytetarëve dhe kompanive të ndërtimit të marrin parasysh faktin se të ndërtosh pa leje do të thotë të kesh bërë një krim dhe për këtë do procedohesh penalisht, do dalësh para gjykatës.
“I bëj sot apel çdo individi që përfshihet në veprimtari ndërtimore dhe kompanive të ndërtimit, që të verifikojnë ligjshmërinë e zonave ku ndërtojnë. Policia e Shtetit ka urdhër që të procedojë çdo krim mjedisor dhe çdo person të përfshirë në veprimtari kriminale. Të ndërtosh pa leje është krim, të përfshihesh je pjesëmarrës në krim, çdo mjet që transporton lëndë ndërtimore do ndalohet, do procedohet dhe do dalin drejtuesit para drejtësisë”, tha ministri.
Sipas tij, policia ka nisur kontrolle të rrepta për çdo ndërtim. Ministri shtoi ndër të tjera se, qeveria është e vendosur të fitojë betejën me krimin mjedisor, prandaj i ka shpallur atij luftë frontale.
“Qeveria shqiptare është e vendosur të fitojë betejën me krimin mjedisor, me ata që ndërtojnë pa leje, kemi shembur mbi 1 mijë ndërtime pa leje, është koha për luftë frontale me ketë fenomen unikal në Europë në këto 20 vjet”, tha ai më tej.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





