Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka mbërritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, i shoqëruar nga avokati i tij, Maksim Haxhia.

Në Gjykatën për Krime të Rënda zhvillohet sot seanca e dytë në radhë për Saimir Tahirin dhe 3 ish-policët që hetohen ndërkohë që janë në arrati.

Teksa pritej që Gjykata për Krime të Rënda të çelte gjykimin për të dhe tre ish-policët, Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, mosnjoftimi i këtyre të fundit çoi në shtyrjen e seancës për në datën 3 korrik.

Vendimi i shtyrjes nuk u prit mirë nga Tahiri, i cili deri në atë moment të procesit kishte dhënë vetëm gjeneralitetet. Pasi mori fjalën, ish-ministri kërkoi nga Gjykata gjykim të shpejtë.

“Kam të drejtë të kërkoj një gjykim të shpejtë dhe të pandërprerë. Nëse sot për ju dy javë janë të domosdoshme dhe të parashikuara nga ligji, pas kësaj, ju lutem të bëhet më shpejt dhe të mos përfitohet nga afatet ligjore. A ka mundësi të bëhet gjyq çdo ditë? Kam dy vite që pres dhe kjo çështje është në dyer të Gjykatës”, tha Tahiri, i cili nuk fshehu nervozizmin dhe irritimin në gjestet e tij.