TIRANË-Deputeti i PS-se, Saimir Tahiri ka reaguar sot pas ankimimit te prokurorisë për 21 janarin dhe të dhënave se eksperti Ndoc Cardaku është filmuar gjatë manipulimit të provave. Tahiri kërkoi që eksperti i Ministrise se Brendshme të arrestohet dhe autoritetet përkatëse të veprojnë. 

“Ne kërkojmë arrestimin e menjëhershëm të eksperit Ndoc Cardaku. Ky është një kriminel që ka guxuar të manipulojë provat njëlloj si ata të tjerët që urdhëruan dhe ekzekutuan vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Aleks Nikajt dhe Hekuran Dedës. 

Në emër të PS, Tahiri theksoi se 21 Janari do vlerësohet si vrasja e 4 qytetarëve të pafajshëm nga Kryeminsitri dhe banditët e tij. 

“Prokuroria ka filmuar ekspertin me emrin Ndoc dhe mbiemrin Cardaku, duke manipuluar provat e 21 janarit për të justifikuar versionin e plumbit rikoshet, duke kryer krim, edhe pse ishte caktuar për të zbuluar një krim. 

Pas mjekut të spitalit ushtarak që doli dhe tha se Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Aleks Nikaj dhe Hekuran Deda janë vrarë ne qitje të puthitur me trupin; Pas shefit të sistemit kompjuterik të Kryeministrisë që u provua nga ekspertiza e FBI se ka fshirë dhe manipuluar pamjet filmike të kamerave të Kryeministrisë; Evidentohet edhe një kriminel tjetër, ky Ndoc Cardaku, medemek ekspert i Ministrisë së Brendshme, që paska pasur guximin të manipuloj provat për të justifikuar versionin e Sali Berishës e vrasjes nga plumb rioshet”. 

“Kjo është dëshmia e rradhës se zinxhiri kriminal përgjegjës për vrasjet e 21 janarit, është në pushtet. Nga urdhërdhënësit në zyrën e Kryeministrit, nga ata që ekzekutuan, ata që manipuluan provat deri te ata gjyqtarë që dhanë vendim gjykate mbi prova të manipuluara nga Ndoc Cardaku me shokë. E gjithë makineria shtetrore, nga Kryeministri deri të gjykata, janë investuar për ti dhënë imunitet vrasësve, duke konfirmuar përsëri se 21 janari ishte, është dhe do të mbetet një krim shtetëror”, shtoi deputeti socialist.

Tahiri garantoi se me ardhjen e PS në pushtet drejtësia do të vihet në vend e përgjegjësit do të përgjigjen të gjithe para ligjit. 
“PS premton publikisht se pas 23 qershorit, të gjithë ata që kane dore e gisht për 21 janarin, nga doktori i spitalit ushtarak, shefi i sistemit kompjuterik në Kryeministri, eksperti Ndoc bashkë me urdhëruesit dhe ekzekutorët, Kryeministri në krye e pastaj të tjerët, do të trajtohen me të gjithë respektin që meritojnë si të akuzuar për një krim shtetëror për të cilin do mbajnë përgjegjësi një më një. Sic do te trajtohen edhe me gjithë përbuzjen që meritojnë nga shoqëria. 
Pas 23 qershorit, të gjithë këta me mendjen, dore e gisht te perlyer ne vrasjet e 21 janarit, bëjnë mirë të përgatiten për llogaritë që kanë për të dhënë para ligjit. E mos ti shkoj ndërmend askujt se mund të shpëtojnë në harresë”. 

21 Janari festë? Tahiri: Pas 23 Qershorit, Berisha pushim cdo ditë të vitit 

Tahiri reagoi dhe pas deklaratës së Berishës në Lushnjë se 21 Janari meriton të jetë festë kombëtare, duke thënë se: 

Dhe meqë sot Sali Berisha ka deklaruar sot se ka ndërmend të shpallë 21 janarin ditë pushimi e festë zyrtare, e garantojmë se me këto palacolleqe, nuk i shmanget dot përgjegjësisë për 21 janarin. 
Pas 23 qershorit, do e ketë pushim çdo ditë të vitit. Pushim pa qetësi, në dorë të drejtësisë dhe të ligjit”.