14 dhjetor 2014 – Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, me anë të një postimi në Facebook, ka reaguar në lidhje me shembjen e kompleksit "Jon", duke shprehur habi mbi deklaratën e dhënë nga ish-kryeministri Berisha. Tahiri ka nënvizuar se shembën një masë betoni, "lindur i paligjshëm".
"Një hap tjetër drejt rikthimit të ligjshmërisë. Respekt për punën e palodhur të INUK, forcat xhenios dhe Policia e Shtetit. Shembëm një masë betoni lindur i paligjshëm. Ndër të tjera, dhe kontratën e shitjes së tokës e kishin firmosur të vdekurit. Shpresoj Prokuroria të mos ndalet, por mbi rrënojat e një pallati të paligjshëm që sot nuk egziston më, të ndertoje bazat e shëndosha për një hetim të plotë e shterues, për të çuar para drejtësisë e pas hekurave të gjithë ata që sajuan, gatuan e përfituan nga kjo paligjshmëri skandaloze, masive e dhunuese sa kjo që shëmbi eksplozivi sot.
Më habiti Sali Berisha në reagimin e tij. Ky që nuk dinte ku binte Gërdeci, nuk dinte që kishte baxhanak, nuk dinte që i biri merrej me atë biznes të pisët që vrau 26 persona, dika detajet më të vogla për lejen e ndertimit dhe kushtet urbanistike të pallatit të paligjshëm që shëmbi eksplozivi sot. Ky njeri duhet pyetur i pari nga Prokuroria me kaq të dhena sa ka".





