TIRANE, 2 korrik 2013 – Kreu i PS-së, për Tiranën, Saimir Tahiri kërkoi sot shkarkimin e zv/drejtorit të policisë Erzen Brecani. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook’, Tahiri thekson se Brecani ka qenë dhe është militant pranë Sali Berishës teksa komentit të tij i bashkangjit një foto, ku shfaqet Erzen Breçani i ri.

“Shkarkoni Brecanin!

Në ka mbetur një gram përgjegjshmëri ndaj shtetit ligjor, një gram respekt ndaj qytetarëve taksapagues, një gram mirnjohje ndaj punonjësve të ndershëm të policisë se shtetit, shkarkoni Brecanin! Shiheni në foto, i njëjti ka qenë dhe i njëjti është. Militant pranë Saliut atehërë, po njëlloj sot. Vetëm ne kemi ndryshuar! Vendi dhe qytetarët kanë ecur shumë, vetëm ky dhe ca të tjerë bashkë me Saliun, kanë mbetur në vend. Kundër këtyre ishte klithma e qytetarëve me votë shkatërruese! Kunder modelit të militantit të verbër ndaj klanit dhe prijsit! Prandaj nuk vlejnë më as për ti konsideruar. Por, shkarkojeni për të treguar se shteti, ligji, pergjegjshmëria publike përball qytetarëve, janë principe që vlejnë pavarsisht se kush qeveris. Dhe nqs nuk e shkarkoni dot, dilni publikisht dhe motivoni heshtjen!”, shkruan Tahiri.