TIRANE- Partia Socialiste organizoi një takim me të zgjedhurit vendorë të Tiranës, në kuadër të nevojës për t’u organizuar jo vetëm për zgjedhje, por edhe për nevojën e përmirësimit të infrastrukturës në qytet.
Kryetari i PS-së për Tiranën, Sajmir Tahiri, theksoi se socialistët e kishin çelur fushatën e tyre, dhe se pas 23 qershorit paaftësisë në Bashkinë e Tiranës mund t’i vihet fre.
“Miqtë e mi, partia e Tiranës ka hyrë në fushatë elektorale. Po ngremë shtabet elektorale në çdo QV. Po ngremë skuadrat e fitores në çdo qendër votimi. Ndaj që sot e deri ditën e zgjedhjeve, jepuni garanci qytetarëve se atë që kjo qeveri nuk e bën dot, atë që Bashkia e Tiranës nuk e bën dot, do e bëjmë ne pas 23 qershorit, me ju, këshilltarët tanë, me kryetarët e njësive tona vendore, me qeverinë tonë dhe me Edi Ramën, Kryeministrin e qeverisë sonë pas 23 qershorit”, deklaroi Tahiri.
Sipas tij, Basha ka dështuar në çdo premtim të dhënë. Pas tij fjalën e ka marrë këshilltarja e PS-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Adriana Berberi, e cila është ndalur në mënyrë më të detajuar te dështimet e administratës së bashkisë së kryeqytetit në fushën ekonomike.