Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri akuzoi rëndë Këshillin e Lartë të Drejtësisë se mban në gjirin e saj gjyqtarë të korruptuar, që kanë dhënë gjykime të padrejta. 

Në një konferencë për shtyp, ministri Tahiri tha se 9 anëtarët e KLD-së janë 9 anëtarë të Këshillit të Lartë të Padrejtësisë e Pasurisë, që sipas tij përbëjnë korporatën e së keqes. Sipas Tahirit, pasuria e tyre i kalon shifrat e 5 miliardë lekëve.

Ministri nuk la jashtë akuzave edhe Presidentin Bujar Nishani, duke u shprehur se është bërë bashkë me të sipërpërmendurit për të ndalur reformën në drejtësi. Akuzat e tij, i bazoi në rastin e gjyqtarit Arian Aliaj dhe Osman Aliu.

“Sot KLD ka fytyrën e Bujar Nishanit dhe Gjin Gjonit. Është Këshilli i Lartë i Pasurisë dhe jo Drejtësisë. Nuk ma mbyllin dot gojën me një padi penale dhe as me 1 milion padi. I falënderoj që nuk kanë kurajën t’i tregojnë publikut pasurinë, por të ngrenë padi. Janë bërë bashkë në një front për të ndaluar reformën në drejtësi”, deklaroi ai.