TIRANE, 24 nentor 2013  – “Dorëzohuni sot, se nesër e në vijim mund të jetë shumë vonë”. Me këtë thirrje u është drejtuar ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, tre të arratisurve nga burgu i Drenovës që po kërkohen ende nga policia. 
Në një konferencë për shtyp, ku ishte i pranishëm edhe kreu i Policisë së Shtetit Artan Didi, ministri Tahiri u shpreh krenar për punën e Policisë së Shtetit, që sipas tij ka arritur në një kohë rekord të arrestojë katër prej të arratisurve më të rrezikshëm. 
Sipas Tahirit, kjo ngjarje ishte një sprovë për policinë, dhe bashkëpunimin e agjencive ligj zbatuese, që sipas tij po jep frytet e para. 

“Operacionet kanë vijuar gjatë gjithë natës, pavarësisht kushteve të motit. Vetëm pak minuta më parë u bë i mundur arrestimi i 3 prej të arratisurve të gjithë të dënuar me burgim të përjetshëm. Po punojmë për zbatimin planit operacional për arrestimin e të gjithë personave përgjegjës. Kjo ishte sigurisht një situatë serioze për policinë e shtetit dhe një sprovë për policinë e shtetit dhe bashkëpunimin e agjencive ligj zbatuese. Bashkëpunimi po jep frytet e para edhe në situata të tilla mjaft kritike. Jam krenar për Policinë e Shtetit, të cilët edhe pse të braktisur nga qeveria e mëparshme të lënë pa mjete bënë të mundur në kohë rekord kapjen e katër prej të arratisurve të dënuar me burgim të përjetshëm.”- deklaroi Tahiri. 

Duke iu referuar akuzave të PD-së, ministri Tahiri pohoi se makinat me të cilat udhëtonin të arratisurit kanë thyer mbrëmë postbllokun e policisë në Pogradec, duke akuzuar qeverinë e mëparshme për shkatërrimin e shtetit. 

“Falënderoj PD që në një situatë të nderë si kjo, nuk priti të na kujtojë se shteti është shembur. Shtetin gjetëm të shembur dhe të shkatërruar deri në kockë. Dua t’i garantoj se Policia e Shtetit është në këmbë për të garantuar jetën dhe pronën”- deklaroi ministri. Arratisja e djeshme është dëshmi tragjike e përfshirjes së politikës në punët e pista të krimit.” Hetimet po vazhdojnë dhe shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete me përgjegjës konkretë. Ne jemi këtu, policia është këtu, kriminelët do jenë aty ku e kanë vendin në burg.”- u shpreh ministri.