Tranë, 16 nëntor 2013-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri komentoi një ditë më pas vendimin e Kryeministrit Edi Rama, për t’i thënë 'JO' përfshirjes së Shqipërisë në operacionin e shkatërrimit të lëndëve kimike të Sirisë, si dhe ecurinë e protestave në të gjithë vendin. 

Komentet ministri Tahiri i ka bërë në rrjetin “Facebook”, nga ku sqaron se:

“Nuk di shumë detaje për dinamikën e diskutimeve me partnerët, por një detaj kam dëshirë ta ndaj me ju. Atë mëngjes, kur e njoftova se shumë nxënës po linin shkollat për të dalë në protestë, kryeministri Rama më tha "shyqyr që s'i nxjerr më shteti në miting me zor për të brohoritur, por dalin vetë pa frikë për të protestuar për diçka kaq të madhe". 
“Gjithë këto ditë, kryeminstri Rama më ka telefonuar vazhdimisht për tu siguruar që policia të ishte sa më pak e pranishme dhe sa më shumë qytetare në sjelljen e saj me protestuesit. Besoj ia arritëm të tregojmë fytyrën e qyteteruar të Policisë së Shtetit, si partner i denjë i qytetarëve. Fituam siguri nëpermjet paqes, jo nëpermjet dhunës ndaj protestuesve” – bën me dije Ministri i Brendshëm, Tahiri. 

Në lidhje me etapat për vendimin e kryeministrit Rama për mos përfshirjen e Shqipërisë në operacionin e shkatërrimit të armëve, Tahiri bën me dije se:

“Shqetësimi i vetëm që Kryeministri ka ndarë me mua në bisedat për çështjen e armëve kimike që kur më informoi për kontaktin me miqtë amerikane, ishte qëllimi për të përputhur tërësisht objektivin madhor të operacionit me interesat strategjike e politikë të Shqipërisë, por në rradhë të parë me sigurinë e jetës dhe përmiresimin e kushteve mjedisore në vend. Nuk kam dyshuar asnjë çast të vetëm që në fillim të kësaj historie, se Edi Rama nuk do merrte kurrë një angazhim për t'iu drejtuar parlamentit pa u realizuar një përputhje e tille, në mënyrën më të plotë. Kam bindje që dolëm të gjithë më të fortë nga gjithë kjo histori”. 

Gjithashtu,Ministri Tahiri ka sqaruar se nuk ka asnjë procedim penal ndaj protestuesve për armët kimike të Sirisë.Ministri Tahiri shkruan se:

“Ndoqa njoftimin në disa media ndaj ndjej të sqaroj keqkuptimin, nuk ka procedim penal për protestuesit. Ditën e parë të protestës dhe devijimit të saj pranë godinës së një prej ambasadave, policia ka ndjekur përpilimin e një procedure rutinë lidhur me daljen nga plani i shpallur i protestës. Në ditët në vijim, kjo procedurë u ndërpre me urdhër të Kryeministrit, për sa kohë daljet nga plani i protestës nuk përbenin rrezik për objektet e rëndësisë së vecantë”.