Të paktën 13 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se një milion të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre pasi tajfuni Lekima goditi Kinën. Po ashtu, 16 vetë rezultojnë të zhdukur pas një rrëshqitjeje dheu të shkaktuar nga stuhia.  Lekima preku tokën në orët e para të së shtunës në Uenling, mes Tajvanit dhe kryeqendrës financiare të Kinës, Shangai.

Stuhia fillimisht ishte klasifikuar si një super tajfun, por u dobësua ndjeshëm para se të prekte tokën, pavarësisht se ka sërish erëra që kapin shpejtësinë e 187 km në orë. Rrëshqitja fatale e tokës ndodhi kur një digë u ca në Uengzhou, afër vendit ku stuhia preku tokën. Lekima tani vazhdon rrugën përmes provincës Zhejiang dhe pritet të godasë Shangain që ka një popullatë prej më shumë se 20 milionë banorësh. Ekipet e emergjencave kanë punuar për të shpëtuar njerëzit e bllokuar në përmbytje. Pemët e shkulura me rrënjë apo ndërprerjet e energjisë elektrike janë të shumta.

Autoritetet kanë anuluar më shumë se 1 mijë fluturime dhe kanë anuluar shërbimet hekurudhore në Shangai, ku sidoqoftë stuhia pritet të mbërrijë më e dobësuar.  Lekima është tajfuni i nëntë i vitit por është edhe stuhia më e fuqishme që është parë në vite të tëra.