Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, u shpreh i lumtur për superkupën, por në përgjithësi pati edhe nga një koment për shumë tema.
E nisni me një trofe…
Kur sezoni nis me një trofe si Superkupa, ishte e nevojshme për Skënderbeu, edhe për moral.
Pse qëndruat lart në tribunë?
Menaxheri i përgjithshëm, Gerhard Takaj, më zëvendëson shumë mirë, për këto kupat e vogla. Për ato të mëdhat, zbres vetë.(qesh)
Shehi trajner i ri…
Duke njohur nga afër Shehin, sa serioz është në punë, dhe për një njeri që punon shumë dhe e do futbollin, ai i ka të gjitha cilësitë të bëhet një trajner i madh në Shqipëri. Do i jepen të gjitha shanset. Unë nuk jam nga ata që bëj eksperimente për pak ndeshje. Shpresoj që edhe Shehi, edhe Shkëmbi, të bëhen dy trajnerë shumë të mirë.
Dejvi Bregu…
Ai i ka dhënë provat e veta në Shqipëri, jo më kot është pjesë e jona. Duhet të japësh diçka më tepër që të jesh pjesë e Skënderbeut, kjo ka qenë në politikat tona, ashtu si lojtarët e tjerë të rinj. Mendoj se është momenti i tyre, që të marrin gjërat përsipër.
Ju vjen keq që nuk jeni në Champions?
Normale, sepse është pjesa financiare, pasi kemi marrë emocione shumë të mëdha. Arritja e Skënderbeut një vit më parë ka qenë shumë e madhe. Nuk u dënua vetëm Skënderbeu, është hequr kampioni i Shqipërisë. Është sikur t’i heqësh Bajernin Gjermanisë.
Replikat me Osmanin?
Ai ka një kontribut shumë të madh te ne, i gjithë repsekti i është bërë Osmanit. Nuk besoj se kam tradhtuar njeri. Ai e sheh veten te Teuta tani.
Rivali juaj më i afërt tani?
Nuk ka një panoramë të qartë për ekipet, pasi kam kërkuar që të gjitha miqësoret të transmetohen. Duhet të shohim edhe rivalët në këto ndeshje. Është mirë dhe për tifozët të shohin ku i kanë ekipet e tyre.