ITALI, 23 mars 2013 – Papa Françesku I është takuar me paraardhësin e tij, Benediktin XVI, duke shënuar një takim historik mes dy papëve që realizohet pas më shumë se 600 vjetësh. 

Papa Fraçesku I udhëtoi deri në Kështjellën Gandolfo me helikopter, për të takuar paraardhësin e tij, Papa Benediktin XVI. 

Ky i fundit ka plot një muaj që jeton në jug të Romës. Ai u bë papa i parë në 6 shekuj që jep dorëheqjen për shkak të moshës së tij të thyer. 

Takimi qe mjaft miqësor. Kur Papa Françesku I zbriti nga helikopteri u përqafua me Benediktin XVI. Pasi u futën në kështjellë, Benedikti i kërkoi mikut të tij që të ulej e të lutej së bashku me të. 

Biseda private mes dy papëve ka zgjatur rreth 45 minuta dhe mësohet se Papa Françesku I i ka thënë Benediktit: “Jemi vëllezër”. 

Deri më tani nuk ka të dhëna të dokumentuara për takimet mes dy papëve në rrjedhën e historisë, pasi kreu i Kishës Katolike zgjidhet zakonisht pas vdekjes së paraardhësit.

Në vitin e largët 1294, Papa Çelestini V, dha dorëheqjen pas vetëm pesë muajsh në krye të Kishës Katolike. Në krye të saj erdhi Bonifaci VIII, i cili burgosi paraardhësin e tij.