Të dërguarit kryesorë të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Uitkoff dhe Jared Kushner, janë takuar në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, në kuadër të përpjekjeve të reja diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Sipas Trump, dy negociatorët amerikanë kanë udhëtuar në Rusi me një propozim për përfundimin e luftës, ndërsa pas Moskës ata pritet të udhëtojnë drejt Kievit për të zhvilluar bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Pamjet e publikuara nga mediat shtetërore ruse tregojnë Uitkoffin dhe Kushnerin duke u pritur nga Putin në Moskë. Deri tani, Uashingtoni dhe aleatët e tij kanë zhvilluar disa përpjekje për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje paqeje, por pa arritur një rezultat përfundimtar. Çështjet më të vështira mbeten territori i pushtuar nga Rusia dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Në kuadër të vizitës së delegacionit amerikan, Rusia dhe Ukraina kanë deklaruar se do të ndalojnë sulmet ndaj kryeqyteteve të njëra-tjetrës për tre ditë.
Zelensky tha se kishte komunikuar me të dërguarit amerikanë dhe se ata kishin nisur tashmë punën me palën ruse. Ai konfirmoi gjithashtu se takimet e planifikuara në Kiev për të dielën janë miratuar dhe se Ukraina është e gatshme për një bisedë konkrete me Uitkoff dhe Kushner.
Presidenti ukrainas deklaroi se Kievi do të përmbahet nga sulmet ndaj Moskës deri në fund të së shtunës, si dhe gjatë së dielës dhe të hënës, duke kërkuar që Rusia të respektojë të njëjtin zotim ndaj Kievit. Mediat shtetërore ruse raportuan se Putin kishte urdhëruar ndalimin e sulmeve ndaj Kievit për tre ditë, pikërisht për shkak të vizitës së delegacionit amerikan.
Megjithatë, udhëtimi i delegacionit amerikan nga Moska drejt Kievit mbetet i paqartë. Hapësira ajrore e Ukrainës është e mbyllur që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt 2022, ndaj nuk dihet se në ç’mënyrë do të udhëtojnë dy të dërguarit amerikanë drejt kryeqytetit ukrainas.
Zelensky kishte deklaruar më herët se Ukraina do të garantonte sigurinë e delegacionit gjatë vizitës dhe i kishte kërkuar Rusisë të bënte të njëjtën gjë. Në të njëjtën kohë, Zelensky akuzoi Rusinë se kishte kryer sulme “demonstrative” gjatë natës ndaj aeroporteve në Kiev dhe Boryspil. Sipas tij, sulmet mund të kenë qenë një reagim ndaj diskutimeve për mundësinë që delegacioni amerikan të përdorte një avion për të mbërritur në Ukrainë. Presidenti ukrainas tha gjithashtu se një sulm rus ndaj një ndërtese civile në rajonin e Dnipros kishte shkaktuar katër viktima dhe pesë të plagosur.
Vizita e Uitkoff dhe Kushner vjen pak më shumë se një javë pas një vizite të rrallë në Moskë të drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe. Uashingtoni dhe Kremlini nuk kanë dhënë detaje zyrtare mbi atë që është diskutuar. Trump e kishte përshkruar takimin e Ratcliffe me palën ruse si një takim “gjysmë-rutinë”.
Gjatë vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Rusia kanë dhënë sinjale se një marrëveshje mund të ishte pranë, pas një serie takimesh të ndërmjetësuara nga amerikanët. Edhe vendet evropiane kanë zhvilluar negociata, përfshirë takimet në Paris, por deri tani nuk është arritur një marrëveshje që t’i japë fund konfliktit.
Ndërkohë, luftimet vazhdojnë dhe muajt e fundit si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë intensifikuar sulmet ajrore. Bisedimet e reja amerikano-ruse dhe takimi i pritshëm në Kiev shihen si një përpjekje tjetër për të afruar palët drejt një marrëveshjeje paqeje, por dallimet mbi territorin, sigurinë dhe kushtet e përfundimit të luftës mbeten të mëdha.





