Forcimi i bashkëpunimit rajonal, në luftën kundër veprimtarive kriminale ndërkufitare ka qënë fokusi i takimit të Task-Forcës së SELEC-ut dhe përfaqësuesve të autoriteteve doganore shqiptare. Ministri i brendshëm, Bujar Nishani, i pranishëm në këtë takim, ka theksuar rëndësinë e forcimit të këtij bashkëpunimi mes vendeve të rajonit me qëllim eleminimin e krimit ndërkufitar.

“Ndonëse Shqipëria ka një përvojë të shkurtër në këtë fushë tashmë ne, njëlloj si vendet e tjera të Ballkanit, jemi në rrugën e duhur për t’u integruar së bashku në komunitetin europian, proçes as i shkurtër e as i lehtë, por me plot sfida të vështira”,- tha gjatë takimit ministri Nishani.Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymyshka, ka pohuar se roli i SELEC, në veprimtaritë rajonale dhe ndërkombëtare, ka lidhje me luftën kundër krimit ndërkufitar dhe shërben ndjeshëm në përmirësimin e bashkëpunimit administrativ për zbatueshmërinë e ligjit në sistemin doganor. Ky ishte takimi i njëmbëdhjetë i taksforcës së SELEC, ku pjesëmarrës janë 13 vende të rajonit, që bashkëpunojnë për të eleminuar kriminalitetin ndërkufitar.