SHBA – Rezerva Federale amerikane po takohet në Uashington me ekonomistët që parashikojnë se Banka Qendrore do të zgjerojë përpjekjet për të stimuluar ekonominë amerikane.
 
Banka qëndrore ka hedhur miliarda dollarë në ekonominë amerikane gjatë dy vjetëve të fundit përmes blerjes së bondeve qeveritare dhe letrave me vlerë, por ekonomia më e madhe e botës ka përparuar me një ritëm modest.
 
Analistët thonë se Banka Qendrore do të parashtrojë sot një plan të ri për të blerë 45 miliardë dollarë letra me vlerë, një përpjekje që synon të ulë normat e interestit për të inkurajuar bizneset të investojnë dhe të punësojnë.
 
Vendimet e bankës ndodhin ndërsa presidenti Barack Obama dhe Kongresi po negociojnë për të evituar atë që po quhet katastrofë fiskale.
 
Rreth 500 miliardë dollarë shkurtime të shpenzimeve në programe të rëndësishme qeveritare dhe rritja e taksave për shumicën e amerikanëve do të ndodhin automatikisht në se nuk arrihet një marrëveshje deri më 1 janar. Analistët e pavarur thonë se nëse Shtëpia e Bardhë dhe republikanët në kongres nuk bien dakort për një plan të ri financiar, ekonomia amerikane mund të hyjë në recesionin e dytë në tre vjet.