Bashkia e Tiranës do të ndihmojë Ukrainën me rindërtimin e shkollave dhe do të japë ekspertizën e saj për rimëkëmbien si pasojë e luftës.
Një ditë pas takimit me Presidentin e Ukrainës, Kryebashkiaku Erion Veliaj shkruan se Presidenti Zelenski i shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që Shqipëria dhe Kryeministri Rama kanë dhënë gjatë gjithë kësaj periudhe.
“Shumë i lumtur që u takova me Presidentin Zelenski në Kiev, i cili shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Shqipërisë dhe Kryeministrit Rama në Këshillin e Sigurimit, strehimin e refugjatëve dhe çdo ndihmë tjetër. Tirana dhe Kharkivi janë qytete motra – ne jemi zotuar të rindërtojmë shkolla aty dhe të japim ekspertizën tonë në rimëkëmbjen e Ukrainës”, thekson Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ishte pjesë e grupit të Kryetarëve të Bashkive të Qyteteve Evropiane të Eurocities në mbështetje të Ukrainës. Në prani të Presidentit Zelenski, Shefi i Zyrës së Presidentit, Andriy Yermak dhe Presidenti i Eurocities Dario Nardella, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për të mbështetur rindërtimin e qëndrueshëm të qyteteve të Ukrainës.





