Nga Mark Brunga

Durrës, 9 shtator 2014– Në oborrin e ateliesë së skulptorit durrsak Idriz Balani hyjnë papritur 3 persona mes tyre njeri me qeleshe dhe afrohen te një skulpturë bust i Richard Hollbrukut dhe tentojnë ta përqafojnë. Po monumenti ende në proces është i lartë dhe si i tillë nuk arrihet. Ai vetëm ledhatohet me duar nga të panjohurit thuajse të përlotur dhe duket sikur po na ripërtërihen para syve rastësisht sekuencat e filmit “I teti në Bronx”.

Më pas, pasi përshëndeten me skulptorin Idriz Balani duke iu drejtuar: “Ti qenke djali ynë” dhe ata kërkojnë të bëjnë foto me Richard Hollbrukun, më pas me skulptorin Balani dhe kërkojnë se ku mund t’i lajnë sa më shpejt fotot pasi mesa duket u ngjan se po e ringjallin këtë titan të mbrojtjes së interesave të popullit shqiptar të Kosovës. Vërtet janë ngjarje emocionuese.

Skulptura e sapo dalë nga atelieja është gati për t’u nisur për t’u derdhur në bronx në fonderi e më pas do të niset drejt Kosovës ku do të vendoset në një piedestal që e pret në Viti. Kosovarët që kishin ardhur për pushime në plazhin e Durrësit e panë rastësisht në momentin e përgatitjes për transport drejt fonderisë.

Qazim Jakupaj, nxjerr nga xhepi dhe vendos në xhaketë një fletë dëshmie të dëshmorit Fitim Jakupaj, te vëllait, rënë më 1998 në betejën e Negrovacit. “Ky burrë, thotë më pas duke parë bustin e heroit, qe ndër ata që na shpëtuan nga zhdukja. E përshëndes me dëshirë edhe Klintonin dhe të gjithë ata që na kanë ndihmuar. Ju a di për nder të gjithë atyre që na shpëtuan nga gjakpirësit…

Hajzer Bashota, mësuesi 75-vjeçar nga fshati Ceroviki Klinës, thotë: “Richard Hollbruk ka qënë dorë e jona, krahu ynë në konfliktin shekullor me serbët…”

Autori i bustit të sapopërfunduar Idriz Balani tregon se ka shumë kohë që po punonte për të. Balani tregon se kjo vepër ka filluar që të skulpturohet me nismën e Misionit Diplomatik në Shqipëri, fondacionit “Hollbruk” të krijuar para disa viteve në Tiranë kur diplomati i madh ishte ende gjallë si dhe të 2 shoqatave të tjera kosovare me mbështetje të Vitisë, vend ku edhe do të vendoset.

Skulptori sqaron se nëpërmjet këtij busti ai është përpjekur që të paraqesë në rradhë të parë burrin e madh dhe politikanin e madh në mënyrë komplekse. Nëpërmjet ngjashmërisë, psikologjisë, plastikës, qëndrimit, impostimit në përgjithësi, pra të japë në mënyrë psikologjike portretin e plotë të Hollbrukut. Pasi të derdhet në fonderi, busti do të shtegtojë drejt Vitisë në Kosovë dhe do të vendoset në një park shumë interesant, ku përveç bustit do të ketë edhe një ngjizje të re arkitektonike për të krijuar përshtypjen e një mini Amerike në atë park… Ky shtegtim do të bëhet direkt nga fonderia, parashikohet nga fundi i shtatorit ose fillimi i tetorit.

Edhe miqtë kosovarë të Hollbrukut janë të interesuar se kur do të niset. Direkt a? Ani mirë… Sidoqoftë është një udhëtim nga Durrësi në Viti, nga Shqipëria në Shqipëri…

/gazeta “Dita”/